Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

“Cinike dhënia e 50 milionë eurove”, Berisha: Me rritjen e çmimit të energjisë qeveria goditi qëllimisht shtresën e mesme

Nga A2 CNN
8 Shtator 2022, 18:41 | Politikë
“Cinike dhënia e 50 milionë eurove”, Berisha: Me rritjen e

Me rritjen e çmimit të energjisë qeveria goditi qëllimisht shtresën e mesme. Kështu ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sipas të cilit, katërfishimi i çmimit të energjisë do të largojë nga Shqipëria mjekë, inxhinierë, biznesmenë të vegjël dhe të tjerë.

“Ju i dhatë një goditje fatale shtresës së mesme me çmimin e energjisë. Pasi keni shndërruar energjinë në një mekanizëm të tmerrshëm vjedhjeje për shqiptarët, që dilni e blini me çmime 2-3-fish me bursën. Që shisni te njëri-tjetri me çmime qesharake, për të vjedhur pastaj, për të ua rishitur të tjerëve. Tani po sillni gjigantët e ndotjes, gjeneratorët nga Bangladeshi, pa tender. I mashtroni shqiptarët se punojnë me gaz. Asnjëri prej tyre nuk punon me gaz, punojnë me mazut. Prodhon qindra e qindra tonelata squfur. Helmon Vlorën, njësoj sikur 100 mijë makina të qarkullojnë 100 kilometra në ditë dhe dikush këtu mbush xhepat me këtë vjedhje skandaloze. Energjia e tyre kushton 392 euro megavati. Në total 760 milionë euro për dy vjet. 3 termocentrale më të mëdha se sa i Vlorës mund të ndërtoheshin me këto para dhe gazi rrjedh bri tyre. Por ju do të krijoni të varfër, duke i vjedhur shqiptarët.  E dini si ja bëni ju. Nuk ka cinizëm, por shqiptarët do t'ju përgjigjen ju. Do t'ju japin një përgjigje flakë për flakë. Të rrisni çmimin e energjisë për 7% të shqiptarëve, e cila është shtresa e mesme. Ju godisni me qëllim shtresën e mesme. T'ua 4-fishosh çmimin atyre, do të thotë të ikin nga Shqipëria. Mjekë, inxhinierë, biznesmenë të vegjël, etj. me radhë”.

Akuza ndaj qeverisë, Berisha ngriti edhe për bizneset.

“E dini se çfarë po bëni apo jo. Do t'ju jap një shembull unë sot: Bullgaria, që ky e sulmoi në mënyrën më amorale, ka 1 biznesmen për 9 banorë. Shqipëria kishte 1 biznesmen për 14 banorë, sot ka 1 biznesmen për 28 banorë. I vratë masivisht bizneset. Sepse për ju nuk ekziston konkurrenca”.

Kreu demokrat e quan tallje dhe cinike që qeveria u jep 3 milionë shqiptarëve 50 milionë euro ndihmë në një kohë kur Kosova dha 150 milionë euro.

“Dhe mblidheni këtu në vend që ta përmbysni këtë akt cinik që ju jep 3 milionë shqiptarëve me 50 milionë euro ndihmë. Tallje dhe vetëm tallje.

Kosova që është me një GDP më të ulët se ne, një vend me histori të shkurtër pavarësie, me atë aktin normativ që dërgoi në parlament, përcaktoi 100 euro për çdo pensionist. Dhe pensionisti në Kosovë blen me çmimet 30% më të ulëta se në Shqipëri.

Përcaktoi 100 euro për çdo student, 100 euro për çdo punonjës të ndërmarrjeve publike, përcaktoi 50 euro për çdo punonjës të administratës.

Përcaktoi jo 10, po 100% të rritjes së ndihmës ekonomike. Çfarë bëtë ju? Ju mashtroni ato që keni shkruar”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani