Ndërron jetë Mbretëresha Elizabeth II

Publikuar më: 8/9/2022, ora 19:35

Ndërron jetë Mbretëresha Elizabeth II

Publikuar më: 8/9/2022, ora 19:35

Pasditja e 8 shtatorit nuk mund të ishte më e trishtë për britanikët. Mbretëresha Elizabeth II, sundimtarja më jetëgjatë e Britanisë së Madhe u shua në kështjellën e Balmoral në Skoci, në moshën 96-vjeçare, pasi sundoi për 70 vite.

Spikeri i BBC, Huw Edwards njoftoi lajmin teksa, lexoi deklaratën e Buckingham Palace: “Mbretëresha vdiq paqësisht në Balmoral pasditen e së enjtes. Mbreti dhe bashkëshortja Mbretëreshë, do të qëndrojnë në Balmoral dhe do të kthen të premten në Londër”.

Djali i saj i madh, i cili u bë automatikisht mbret dhe mori emrin Charles III, tha se vdekja e nënës së tij të dashur ishte një moment i madh hidhërimi, dhe se humbja e saj do të ndihej thellësisht në të gjithë botën. “Ne vajtojmë me hidhërim vdekjen e një sovraneje dhe nëne shumë të dashur. E di se humbja e saj do të ndihet thellësisht në të gjithë vendin e po ashtu nga njerëz të shumtë në të gjithë botën”.

Kryeministrja Liz Truss e cila u emëruar nga mbretëresha të martën, tha se monarkja i kishte dhënë vendit stabilitetin dhe fuqinë për të cilat kishte nevojë dhe ishte shkëmbi mbi të cilin ishte ndërtuar Britania moderne. Në fund i shprehu besnikëri dhe devotshmëri mbretit të ri ndërsa e mbylli fjalën me shprehjen “God save the King”.

“Jemi të gjithë të tronditur nga lajmi që sapo mësuam nga Balmoral. Vdekja e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës, është një shok i madh për vendin dhe botën. Elizabeth II ishte shkëmbi mbi të cilin u ndërtua Britania moderne. Sot, ashtu siç ka ndodhur përgjatë mijëra viteve, kurora i kalon monarkut tonë të ri, kreut të shtetit Madhërisë së Tij, Mbreti Charles III. i ofrojmë atij besnikëri dhe devotshmëri. God save the King”.

Lajmi se shëndeti i mbretëreshës po përkeqësohej erdhi mesditën e së enjtes, kur mjekët e saj thanë se Elizabeth ishte nën mbikëqyrjen mjekësore, diçka që shtyu familjarët e saj të nxitonin për në Skoci. Mijëra vetë u mblodhën jashtë Buckingham Palace në qendër të Londrës, dhe heshtja pllakosi kur flamuri u ul në gjysmë shtizë dhe kur lajmërimi për vdekjen e sa u afishua te kangjellat.

Me emocione, lot dhe kurora lulesh, qytetaret i benë homazh të vetmes monarke që shumica e britanikëve kanë njohur. Me vdekjen e saj, Britania dhe mbretëritë e tjera të Komonuelthit, hyjnë në një periudhë zie 10-ditore. Arkivoli me trupin e saj do të zhvendoset në Londër me trenin mbretëror, para se të zhvillohen homazhe 4 ditore në “Westminster Hall”. Qindra mijëra njerëz do të marrin pjesë në homazhe para funeralit shtetëror që pritet të mbahet në 19 shtator, në Abacinë e Westminster-it.