Polonia bëhet gati për luftë

Publikuar më: 8/9/2022, ora 19:08
polonia lufte

Polonia bëhet gati për luftë

Publikuar më: 8/9/2022, ora 19:08

Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Marcin Ociepa, ka paralajmëruar se “ekziston një rrezik serioz i luftës me Rusinë në tre deri në dhjetë vitet e ardhshme”, gjë që justifikon investimet e mëdha të vendit të tij në mbrojtje.

Në një intervistë të botuar në të përditshmen polake “Dziennik Gazeta Prawna”, Ociepa theksoi se vendi i tij duhet “të shfrytëzojë kohën para se Rusia të rimëkëmbet” nga humbjet në luftën në Ukrainë.

Zëvendësministri mbron rritjen e buxhetit të mbrojtjes, i cili do të arrijë në 20 miliardë euro në vitin 2023 dhe do të përfaqësojë 3% të prodhimit të brendshëm bruto polak, si dhe dhënien e një fondi të jashtëzakonshëm për mbështetjen e Forcave të Armatosura që do të shtojë 8 miliardë të tjera për shpenzimet ushtarake.

Kohët e fundit, ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, kujtoi se parashikimi është të përdoren rreth 120 miliardë euro për të zgjeruar dhe modernizuar ushtrinë polake. Shifra do të thotë “investimi më i madh në historinë” e vendit në këtë fushë dhe do t’i sigurojë Polonisë “ushtrinë më të madhe tokësore në të gjithë Evropën”, sipas Blaszczak.

Synimi i Polonisë është të rrisë numrin e ushtarëve profesionistë në 300 000 (ushtria polake ka aktualisht 115 000). Për këtë, qeveria u ofron të rinjve mundësinë e regjistrimit në shërbimin ushtarak vullnetar që rinovohet çdo vit dhe paguhet rreth 1000 euro në muaj.

Në të, “stërvitja thelbësore luftarake” merret gjatë vitit të parë dhe aksesi në avantazhe të rëndësishme shtetërore u ofrohet atyre që vendosin të qëndrojnë në ushtri. Fjalët e zëvendësministrit polak do të shoqërohen së shpjeti me veprime. Ushtria polake do të fillojë vendosjen dhe testimin e sistemit raketor Patriot në tetor, siç u raportua për shtyp nga Caroline Touchstone, drejtore e prodhuesit të armëve nga kompania amerikano-veriore Raytheon.

Touchstone ka saktësuar se brenda pak javësh do të funksionojnë radarët, gjeneratorët dhe sistemet e kontrollit të zjarrit që janë pjesë e sistemit kompleks.

Në nëntor 2017, Polonia u bë vendi i parë i autorizuar nga Shtetet e Bashkuara për të shitur sistemin e avancuar të integruar të mbrojtjes ajrore dhe raketore Patriot (IBCS). Vendi i kryesuar nga Andrzej Duda do të marrë gjithsej dy bateri me tetë lëshues, 208 raketa Patriot PAC-3 MSE dhe 11 predha të tjera të paarmatosura për të kryer testet.