Qeveria kërkon kursim, deputetët freskohen nga kondicionerët

Publikuar më: 8/9/2022, ora 21:29

Qeveria kërkon kursim, deputetët freskohen nga kondicionerët

Publikuar më: 8/9/2022, ora 21:29

Salla e seancës plenare u kthye në arenën e debatit për paketën e dytë të rezistencës sociale. Deputetët përplasën qëndrimet sa i takon masave të qeverisë për shtresat në nevojë, ku kryefjalë ishte fasha 800 kilovatorë, si masë mbrojtëse për konsumatorin familjar. Debati zgjati për orë e orë të tëra sa për 12 të tilla, llambat, kondicionerët, aspiratorët, madje edhe ekspresi i kafesë nuk ndaluan së punuari me korent si suport i mendimeve të parlamentarëve.

Rendi i ditës së seancës plenare parashikonte aktin normativ për buxhetin e shtetit, akt i cili i shkonte edhe për shtat debatit për paketën e dytë të rezistencës sociale, të cilën e mbrojti vetë Kryeministri Rama:

“Meqë po flisni për të qenë të drejtë, kur i tundi ato paketat, shënoni poshtë aty që energjia pritet 6-8 orë në ditë dhe nëse ne do të prinim 6 deri në 8 orë në ditë, patjetër mund të bënim paketa edhe më në dukje bindëse, por nuk është ky qëllimi. Për të nxitur edhe kursimin”, tha kryeministri.

Replika ndaj Ramës erdhi nga të dyja linjat e PD-së në sallë.

“Vendet e tjera vendosën çmime tavan për sa i përket energjisë, ndërkohë që ne po e rrisim për 23% të familjeve, sepse ato janë mbi 800 kilovat”, u shpreh Tabaku.

“Ju e godisni me qëllim shtresën e mesme. T’ua katërfishosh çmimin atyre do të thotë t’i largosh nga Shqipëria, mjekë, inxhinerë, biznesmenë të vegjël etj., etj. Në mënyrë absolute do t’ua nxjerrim prej hundësh. Ua them unë këtu”, u shpreh Berisha.

“Edhe sa i takon kursimit ka shumë humor në Shqipëri, por sigurisht që do të kërkojmë që të kursehet energji elektrike”, u përgjigj Rama.

Debati në sallën e Kuvendit nuk e pengoi miratimin e aktit normativ për disa ndryshime në buxhet, votim i cili u bë në orët e mbrëmjes së të enjtes, ku vetë deputetët mund të jepnin shembullin për të mos shpenzuar energji elektrike në seanca plenare të tejzgjatura.