Thatësira po zbulon qytetet e harruara, përmbytjet po zhdukin një nga vendbanimet më të vjetra në botë

Publikuar më: 8/9/2022, ora 14:32

Thatësira po zbulon qytetet e harruara, përmbytjet po zhdukin një nga vendbanimet më të vjetra në botë

Publikuar më: 8/9/2022, ora 14:32

Ndërkohë që thatësira po nxjerr në pah qytetet e harruara në Europë dhe në Amerikën e Veriut, në anën tjetër të globit, përmbytjet po zhdukin një nga vendbanimet më të vjetra të ruajtura edhe sot.

Pakistani është duke u përballur me përmbytjet më të këqija në historinë e tij, të cilat kanë dëmtuar edhe Moenjodaro, i quajtur ndryshe edhe Mohenjo-daro, i cili është një vendbanim, pjesë e trashëgimisë botërore. Ai shtrihet në Luginën e lumit Indus, 508 kilometra nga Karaçi, ndërsa mendohet se është ndërtuar në epokën e bronzit, rreth 5 mijë vjet më parë.

“Fatkeqësisht ka pasur shkatërrime masive”, shkruhet në një letër të Departamentit të Kulturës dhe Turizmit dërguar UNESCO-s.

Në letër theksohet se ky vend po përdorej gjatë ditëve të fundit si strehim i përkohshëm për banorët e zonave përreth, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan nga përmbytjet.

Aktualisht, vlerësohet se një e treta e Pakistanit është nën ujë pas reshjeve të musonit, të cilat janë kombinuar edhe me prurjet e mëdha të ardhura nga shkrirja e akullnajave.