Zgjidhje e ekuacionit të energjisë, “investime për të rritur prodhimin për reduktimin e humbjeve”

Publikuar më: 8/9/2022, ora 11:18

Zgjidhje e ekuacionit të energjisë, “investime për të rritur prodhimin për reduktimin e humbjeve”

Publikuar më: 8/9/2022, ora 11:18

Fatura 300 milionë euroshe, që Shqipëria pagoi për të blerë energjinë elektrike, do të ishte edhe më e kripur nëse nuk do të ishte për hidrocentralet e vogla private. Të dhënat zyrtare tregojnë se nga 3.64 teravat-orë, energji e prodhuar në total në harkun e muajve janar-qershor, gati 2 teravat-orë, apo thënë ndryshe mbi 53 për qind, u prodhua nga privatët.

Në kushtet e një krize që pritet të zgjasë, ekspertë të këtij tregu vlerësojnë se nevojiten më shumë investime në drejtim të HEC-eve private dhe kjo mund të arrihet duke e shitur energjinë te shteti për vlera më të larta.

“Për të dhënë një shembull konkret. Këto pesë vitet e fundit, prodhuesit e vegjël e kanë shitur energjinë elektrike për 60 apo 70 euro çdo megavat-orë. Ndërkohë në Itali apo vende të tjera kjo energji blihet nga qeveria të paktën dyfish më shumë… 120 apo 130 euro për çdo megavat-orë”, thotë për A2 CNN Giordano Gorini, zv.president për Energjinë, Confindustria italiane në Shqipëri.

Urgjente është nevoja për të reduktuar humbjet në rrjet. Energjia që nuk u përdor nga askush, në 6-mujorin e parë të vitit arriti në mbi 945 gigavat-orë, sasi kjo që me çmimet në tregje do të kushtonte mbi 195 milionë euro.

Sipas Gorinit, “kjo problematikë vijon prej shumë kohësh. Është e qartë që për të pasur një prodhim më të madh energjie të ruajtur në rrjetin e shpërndarjes, ka nevojë për investime. Kështu që paralelisht me rritjen e prodhimit të energjisë në vend, nevojitet përmirësim i ndjeshëm i rrjetit të shpërndarjes”.

Në mënyrë që vendi të garantojë furnizim, madje pa pasur nevojën e importeve, krahas HEC-eve, mbështetjet duhet t’i jepet edhe energjisë nga dielli dhe era.

 “Paralelisht me zhvillimin e hidrocentraleve, që për mendimin tim është thelbësore, mbështetje duhet të ketë edhe ndaj iniciativave private të prodhimit të energjisë nga dielli dhe era, si mënyrë për të shkuar te diversifikimi aq i kërkuar”, thotë eksperti i Konfindustrisë italiane.

Prodhuesit e energjisë e shikojnë si të domosdoshëm edhe ngritjen sa më të shpejtë të bursës së energjisë Shqipëri-Kosovë.