Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Bordi i Transparencës vendos çmimet për sheqerin dhe miellin

Nga A2 CNN
9 Shtator 2022, 18:36 | Aktualitet
Bordi i Transparencës vendos çmimet për sheqerin dhe miellin

Bordi i Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të produkteve ushqimore vendosi çmimet e reja me të cilat do të tregtohen sheqeri dhe mielli.

Kështu, pas verifikimeve dhe vlerësimeve nga dita e shtunë një kilogram sheqer do të shitet me 118 lekë me pakicë, ndërsa mielli do të kushtojë 83 lekë për kg.

Njoftimi i Bordit

Bordi i Transaparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to në zbatim të aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”,

VENDOSI

Miratimin e marzheve tavan që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e çmimeve ndërkombëtare.

Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si mëposhtë:

Marzhi tavan i tregtimit të shitjes me shumicë të sheqerit nga importuesi dhe ambalazhuesi është 15 lekë/kg (6 lekë/kg për importuesin dhe 9 lekë/kg për ambalazhuesin) mbi koston e importit plus detyrimet e paguara në doganë.

Marzhi i tregtimit të transportuesit i cili mund të jetë shitësi me shumicë, shitësi me pakicë apo palë të treta, nga magazina e shitësit me shumicë tek magazina e shitësit me pakicë është 2 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi.

Marzhi i tregtimit të shitjes në njësitë e tregtimit me pakicë të produktit sheqer është 3 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi plus transportin sipas gërmës “b” të këtij paragrafi.

Për artikullin miell masiv miratohen marzhet tavan si mëposhtë:

Marzhi tavan i tregtimit të shitjes me shumicë të miellit nga prodhuesi dhe ambalazhuesi llogaritet si vijon:

Kostos së importit të grurit plus detyrimeve të paguara në doganë i shtohet mbi to 32% kosto e përpunimit dhe ambalazhimit nga grurë në produkt të gatshëm miell; dhe

Mbi kostot e llogaritura sipas pikës së mësipërme “i”, shtojmë marzhin e tregtimit 2.5 lekë/kg për tregtarët e shumicës.

Marzhi i tregtimit të transportuesit i cili mund të jetë shitësi me shumicë, shitësi me pakicë apo palë të treta, nga magazina e shitësit me shumicë tek magazina e shitësit me pakicë është 2.5 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi.

Marzhi i tregtimit të shitjes në njësitë e tregtimit me pakicë të produktit miell masiv është 2.5 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas gërmës “a” të këtij paragrafi plus transportin sipas gërmës “b” të këtij paragrafi.

Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë produktet e përcaktuara në këtë vendim.

Administrata Tatimore, monitoron tregun nëpërmjet verifikimit të faturave të lëshuara nga subjektet gjatë periudhës së situatës së veçantë të krijuar në treg dhe raporton pranë Bordit çdo muaj brenda datës 10 të muajit pasardhës të periudhës raportuese.

Ky vendim hyn në fuqi në datë 10.09.2022 dhe i shtrin efektet deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani