Mbretëresha vdiq, rroftë mbreti! Nga paratë, flamujt e deri te pasaportat, çfarë ndryshon në Britani

Publikuar më: 9/9/2022, ora 16:39

Mbretëresha vdiq, rroftë mbreti! Nga paratë, flamujt e deri te pasaportat, çfarë ndryshon në Britani

Publikuar më: 9/9/2022, ora 16:39

Mbretëresha vdiq, rroftë Mbreti! Është një frazë që u dëgjua në Britaninë e Madhe pas ndarjes nga jeta të sundimtares më jetëgjatë, Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, dhe që u jep forcë e besim njerëzve të vazhdojnë përpara. Por çfarë ndryshon me marrjen e fronit dhe kurorës nga Mbreti Çarls i Tretë?

E vërteta është se shumëçka nuk do të jetë më njësoj. Portretet e Mbretëreshës, stemat, flamujt, vulat dhe pullat postare që u përdorën për 70 vite do të nisin të zëvendësohen. Të gjitha 29 miliardë monedhat në qarkullim mbajnë “Kokën e Mbretëreshës” në to. Modeli I fundit daton nga 2015, kur sundimtarja ishte 88 vjeçe dhe ishte monedha e pestë me portretin e saj. Fabrika Mbretërore e Prodhimit të Parave nuk thotë se kur do të nisë injektimi i monedhave më kokën e Mbretit Çarls i Tretë, por mësohet se procesi I zëvendësimit të monedhave dhe kartmonedhave të mbretëreshës Elizabet do të jetë gradual.

Ndryshime do ketë në pulla dhe kutitë postare. Që nga viti 1967, të gjitha pullat e lëshuara nga Royal Mail kanë paraqitur një siluetë të stampuar të profilit anësor të Mbretëreshës Elizabeth II. Por tani do të ndalojë prodhimi i pullave postare dhe do të nisë procesi i krijimit të disa të rejave. Mbreti i ri është shfaqur në disa stampa më përpara, ndërsa dizajni i atyre të rejave ende nuk dihet.

Gjithashtu Royal Mail, do të duhet të ndryshojë inicialet e mbretëreshës Elizabet e Dytë në shumë prej kutive postare. Në to do të vendosen ato të mbretit të ri.

Ndryshime do të ketë edhe në ambalazhin e produkteve ushqimore dhe të tjera. Nga kutitë e ketchup, te paketime e produkteve të mëngjesit e deri te parfumet, britanikët nuk do të shohin më fjalët e stampuara: Përzgjedhur nga Shkëlqesia e saj, Mbretëresha. Kjo nënkupton që ato kanë marrë vulën e garancisë mbretërore, dhe kompania që i prodhon furnizon familjet mbretërore rregullisht. Deri më tani janë lëshuar 900 garanci të tilla për 800 firma. Kur një sundimtar ndërron jetë, kompania ka kohë deri në dy vite për të ndaluar së përdoruri atë stampë garancie. Ndërkohë, që edhe Mbreti Çarls i Tretë ka vulat e tij të garancisë, disa prej të cilave janë aktualisht aktive.

Nuk janë vetëm paratë, pullat postare dhe garancitë në ushqime që do të duhet të përditësohen. Ndryshime do të prekin dhe mjetet e identifikimit. Të gjitha pasaportat britanike që janë lëshuar janë në emër të Shkëlqesisë së saj, janë ende të vlefshme për udhëtime, por pasaportat e reja, do të përditësohen me shkrimin brenda tyre dhe kopertinën që do të mbajnë vulën e Shkëlqesisë së tij, Mbretit Çarls i tretë. Edhe policia e Anglisë dhe Uellsit do të duhet të ndryshojnë inicialet e Mbretëreshës Elizabeta e Dytë në helmetat e tyre dhe targat e automjeteve.