Rrumbullaku prezantohet te strukturat: Drejtorët të mos komandojnë nga zyra, dua standard të ri në luftën ndaj krimit

Publikuar më: 9/9/2022, ora 12:22
WhatsApp Image 2022 09 09 at 12.15.58

Rrumbullaku prezantohet te strukturat: Drejtorët të mos komandojnë nga zyra, dua standard të ri në luftën ndaj krimit

Publikuar më: 9/9/2022, ora 12:22

Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, gjatë ditës së enjte, zhvilloi disa takime prezantuese dhe për të përcjellë te strukturat vizionin dhe standardin që ai kërkon të vendosë në Policinë e Shtetit.

Në takimin me drejtorët e Departamenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e Drejtorive Vendore të Policisë dhe drejtorët e Drejtorive Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Drejtori i ri i Përgjithshëm ka kërkuar ndryshim të vizionit që ata kanë. 

“Jam i vendosur për ta ndryshuar vizionin, me qëllim vendosjen e një standardi të ri në raport me qasjen ndaj komunitetit dhe luftën ndaj krimit dhe jo të ndryshoj emra. Dua drejtorë që të mos komandojnë nga zyra, por të jenë në terren, për të kontrolluar, drejtuar dhe menaxhuar veprimtarinë e strukturave policore. Kërkoj analiza të qarta për realizimin e objektivave që keni marrë që në fillim të vitit, analiza për problematikat dhe propozime për zgjidhjen e tyre. Disiplina në punë dhe performanca në komunitet janë faktorë të rëndësishëm për një organizatë që prodhon rend dhe siguri. Mos toleroni dhe mos ndikoni te strukturat, për të ndihmuar askënd që është në shkelje të ligjit. Unë si Drejtor i Përgjithshëm nuk do t’ju telefonoj asnjëherë për të ndihmuar apo toleruar njeri, ndaj kërkoj me vendosmëri që të zbatoni ligjin dhe të mbroni e të ndihmoni strukturat kur ato zbatojnë ligjin me këdo”, tha Rrumbullaku.  

Gjatë takimit me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kërkuar kontroll të plotë të territorit dhe të mënyrës së funksionimit të strukturave në terren; ndryshim të menjëhershëm të situatës në drejtim të parandalimit të krimit në përgjithësi dhe analiza të veçanta për ngjarje kriminale, duke nxjerrë përgjegjësitë dhe mangësitë e strukturave në atë territor ku kanë ndodhur ngjarje kriminale apo krime në familje.  

Policia e Shtetit njoftoi se drejtori i Përgjithshëm do të vijojë takimet me strukturat e Policisë në të gjithë vendin.