Ukraina përparon në luftë, Zelensky flet për lajme të mira

Publikuar më: 9/9/2022, ora 11:42
SINK ZELENSKY RENDI BOTEROR frame 76 1280x720

Ukraina përparon në luftë, Zelensky flet për lajme të mira

Publikuar më: 9/9/2022, ora 11:42

Me tone më pozitive iu drejtua ukrainasve presidenti, Volodymyr Zelensky, në videomesazhin e tij të fundit.

“Kemi lajme të mira”, tha ai, teksa njoftoi çlirimin e disa territoreve të pushtuara nga Rusia. Për ditë me radhë kanë qarkulluar zëra për përparim të mundshëm të forcave të Kievit në rajonin lindor të Kharkiv, por deri më tani nuk kishte pasur një konfirmim zyrtar.

Zelensky refuzoi të përmendë zonat që trupat vendase kanë rimarrë në kontroll, duke thënë se nuk ishte momenti për t’i bërë publike.

“Mendoj se çdo qytetar ndihet krenar për ushtarët tanë. Por tani nuk është momenti për të përmendur kolonitë ku flamuri ukrainas ka rifilluar të valëvisë”, tha Zelensky.

Gjithashtu, zyrtarë amerikanë thanë se Ukraina po shënonte progres të ngadaltë, por të rëndësishëm ndaj forcave ruse. Colin Kahl, këshilltar politik në administratën Biden, sugjeroi se forcat e Kievit po performonin më mirë sesa trupat pushtuese në disa zona.

“Mendoj se ukrainasit po shënojnë përparim të ngadaltë, por të rëndësishëm. Është ende herët për të folur, por unë mendoj se për momentin, gjërat në jug të vendit po shkojnë më mirë në anën ukrainase”, u shpreh Colin Kahl.

Kievi ka shtrënguar kontrollin ndaj operacioneve të sigurisë gjatë javëve të fundit, duke ndarë pak detaje nga kundërofensiva e lajmëruar në lindje dhe në jug të vendit. Ushtarët ukrainas kanë nisur një ofensivë në qytetin juglindor të Kharkiv në drejtim të rajonit të Donetsk, ku Rusia ka ruajtur një kontroll të konsiderueshëm ushtarak që prej nisjes së luftës 6 muaj më parë. Disa burime sugjerojnë se trupat ukrainase mund të jenë pak kilometra larg qytetit të Izyum, një lidhje e rëndësishme në zinxhirin e furnizimeve ushtarake të Rusisë. Në fjalën e tij, presidenti Zelensky tha gjithashtu se buxheti kombëtar i Ukrainës, vitin e ardhshëm, do të jetë ai i një vendi në luftë, me më shumë se 27 miliardë dollarë që do të shpenzohen për mbrojtjen.