Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Ambasadori amerikan zbulon detajet, ja çfarë tha Vuçiç për sulmin kibernetik në Shqipëri

Nga A2 CNN
10 Shtator 2022, 12:00 | Ballkani
Ambasadori amerikan zbulon detajet, ja çfarë tha Vuçiç

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill ka zbuluar detaje nga momenti i reagimit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mbi lajmin e sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë.

“Erdhi lajmi për një sulm kibernetik kundër Shqipërisë. Unë isha me një vizitor duke takuar presidentin Vuçiç dhe lajmi sapo kishte dalë. Vuçiç tha që duhet të marr në telefon Edin”, tha ambasadori Hill.

Ambasadori amerikan e bëri deklaratën gjatë Forumit Energjetik të Europës Juglindore, që u mbajt në Selanik. Hill e dha rastin, si shembull për tejkalimin e ndjenjës së mosbesimit midis liderëve rajonalë. “Një instikt i mirë dhe mendoj që duke vazhduar, duke mos u dekurajuar kur gjërat nuk ecin, duke mos u dekurajuar kur dikush nuk vjen sepse thotë që po krijon një Serbi të madhe apo një Shqipëri të madhe. Vetëm vazhdoni dhe në fund do t’i kapërceni problemet”, vazhdoi ai.

Ekspertët e sigurisë kibernetike, që i erdhën në ndihmë Shqipërisë pas sulmit, dolën në konkluzionin që agresioni erdhi nga Irani. Pas këtij konfirmimi, qeveria vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike, duke dhënë edhe një afat 24-orësh për largimin e diplomatëve iranianë nga vendi. Katër vite më parë, qeveria e Kosovës pësoi një sulm kibernetik, që sipas Ministrisë së Brendshme vinte nga Serbia dhe Bosnja. Momenti përkonte me vendosjen e tarifës doganore 100%, për mallrat e importuara nga këto vende.

A2 CNN Livestream

Dita jonë