I mori jetën fqinjit për një tub uji, dyshime se autori mund të jetë vetëvrarë

Publikuar më: 10/9/2022, ora 12:34
Fatmir Manellari 1280x720

I mori jetën fqinjit për një tub uji, dyshime se autori mund të jetë vetëvrarë

Publikuar më: 10/9/2022, ora 12:34

Kur kanë kaluar 3 ditë nga vrasja në fshatin Gështenjas autori i ngjarjes ende nuk është kapur nga policia. Kërkimet vazhdojnë ende nga patrullat policore ndërsa janë shtrirë edhe në zonën e Mokrës.

Deri tani nuk ka asnjë gjurmë të tij në çdo vend që është kërkuar, ashtu si nuk ka asnjë raportim se mund të jetë parë nga kalimtarë apo banorë të zonës, çka, sipas burimeve policore, ngre dyshime se edhe mund të jetë vetëvrarë.

Viktima, Safet Hyskollari

Manellari, 63 vjeç, vrau më 7 shtator fqinjin e tij Safet Hyskollari, i cili ishte kthyer në fshat pas 20 viteve emigrim në SHBA. Sipas dëshmitarëve okularë, viktima Safet Hyskollari, po bënte rehabilitimin e rrugës nëpërmjet së cilës futej në banesë dhe kishte vendosur disa tubo shkarkimi për të cilat autori Fatmir Manellari ka pretenduar se ishin futur në tokën e tij. Kaq ka mjaftuar që të niste një konflikt verbal mes tyre, ku në nxehje e sipër autori 63-vjeçar e ka qëlluar katër herë me thikë komshiun e tij, duke i shkaktuar vdekjen.

Banorë të zonës shprehen se nuk kishin dëgjuar asnjëherë konflikt të mëparshëm mes viktimës dhe autorit. Ngjarja ka qenë shumë e papritur edhe për familjen e autorit, të cilët e kanë marrë vesh lajmin nga gazetarët që kishin shkuar në vendngjarje.