Kriza energjetike, blerjet e KESH për shtatorin kapin 50 milionë euro

Publikuar më: 10/9/2022, ora 20:47

Kriza energjetike, blerjet e KESH për shtatorin kapin 50 milionë euro

Publikuar më: 10/9/2022, ora 20:47

Blerjet e energjisë elektrike po i kushtojnë këtë shtator edhe më shumë vendit, kur çmimet në bursa janë dyfish më të larta se një muaj më parë.

Deri më tani, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ishte përpjekur të kompensonte furnizimin me prodhim vendas, në momentet kur çmimi i ofruar ishte i shtrenjtë. Por, gjendja aktuale e rezervës në kaskadë po i afrohet niveleve kritike, me një dimër të gjatë përpara.

Për këtë arsye, këtë muaj KESH ka shpallur 5 ankande të energjisë. I fundit, ai për periudhën 12-18 shtator kushtoi plot 29 milionë euro, duke e çuar faturën totale për dy javë e gjysmë energji në 50 milionë euro.

Ndërkohë, i gjithë muaji gusht kishte kushtuar rreth 58 milionë euro.

Çmimi mesatar i ofruar në ankandin e së premtes u llogarit në 494 euro për megavatorë, ndërsa bursa jep shenja shumë të dobëta për uljen e çmimeve në vijim.

Vendosja e fashës së konsumit 800 kWh, prej nga ku çmimi mbi këtë shpenzim rritet në 42 lekë për kilovatorë, pritet t’i japë një frymë lehtësimi financave të kompanive publike dhe të nxisë kursimin në familje. Ndërsa KESH pret vënien në punë të dy termocentraleve lundruese në muajin nëntor, me një çmim më të ulët se 200 euro për megavat, apo mbi dyfish më i ulët se ai i tregut.