Shiu përmbyt Shkodrën, banorët ankohen: Shteti nuk ka pastruar kanalet

Publikuar më: 10/9/2022, ora 11:39

Shiu përmbyt Shkodrën, banorët ankohen: Shteti nuk ka pastruar kanalet

Publikuar më: 10/9/2022, ora 11:39

Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në zonën e Bleranit të Bardhajve, njësia administrative Rrethina, në Bashkinë Shkodër. Mospastrimi i 2 kanaleve ka sjellë dëme të shumta në banesat e 30 familjeve të kësaj zone.

Uji, që ka arritur deri në 1,5 metra, ka përfunduar në banesat e banorëve të zonës, duke i përmbytur ato, dhe duke shkatërruar mobiliet. Gjithashtu, si pasojë e reshjeve kanë ngordhur kafshë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në tokat bujqësore.

Banorët akuzojnë shtetin për mungesë ndërhyrjeje dhe ndihen të pasigurt në banesat e tyre. “Dy makina, plus shtëpia, plus gjëra të tjera, i ka prishur të gjitha shiu”, thotë Pal Neçaj. “Shteti e ka fajin se nuk ka pastruar kanalet. Përafërsisht janë dëmtuar 30 familje”. Sipas tij kjo situatë ka ndodhur edhe 2-3 herë të tjera, por nuk ka pasur reagime. “Apeli ynë është që shteti të punojë kanalet, të mos rrinë duarkryq por të reagojnë. Kur janë votat vijnë, por më pas nuk vijnë”.

Një tjetër banor thotë se pjesën e kanalit para banesës së tij e ka pastruar privatisht. “Stuhia ka nisur nga ora 2-3 e mëngjesit. Uji shembi avllinë, mori përpara makinat dhe ka shkatërruar gjithçka që kisha brenda. E kam telefonuar policinë në 3 të natës dhe më thanë “nuk kam punëtor me të sjellë, është përmbytur Shkodra komplet”. Kemi pasur raste edhe më parë, por kështu jo. Janë 30 vite që nuk i pastrojnë”, tha Dedë Neçaj.