Zbulohet vendbanimi 8000-vjeçar në Shqipëri, në gërmime edhe arkeologë nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut

Publikuar më: 10/9/2022, ora 12:10

Zbulohet vendbanimi 8000-vjeçar në Shqipëri, në gërmime edhe arkeologë nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut

Publikuar më: 10/9/2022, ora 12:10

Një tjetër vendbanim prehistorik, është zbuluar në afërsi të rrugës Pogradec-Drilon. Një ekip arkeologësh të Institutit të Arkeologjisë Shqiptare në bashkëpunim me studentë të arkeologjisë nga Maqedonia e Veriut, Serbia etj., prej pak ditësh kanë nisur në këtë zonë fazën e tretë të gërmimeve studimore.

Sipas drejtueses shkencore të projektit, arkeologes Edlira Andoni, kemi të bëjmë me një vendbanim i cili i përket periudhës së Neolitit të hershëm, rreth 7800-8000 vjeçar, pra më i hershëm se vendbanimi i tipit “palafit” në Buqezë.

“Jemi në sezonin e tretë të gërmimeve në vendbanimet e neolitit të hershëm. Gjatë të tri sezoneve kemi rezultate rreth veprimtarisë njerëzore në këtë vendbanim. Kemi tre datime me radiokarbon që tregojnë kohëzgjatje të vendbanimeve. Deri tani kemi të dhëna për organizimin e vendbanimit, organizimin e banesave dhe botëkuptimin e banorëve”, thotë Andoni.

Arkeologia Edlira Andoni, drejtuese shkencore e projektit

Tipologjia e ndërtesave në të është mjaft e veçantë, sipas arkeologëve kemi të bëjmë me ndërtesa të cilat kanë qenë deri në dy kate, ndërsa vendbanimi mendohet të ketë pasur një sipërfaqe rreth 2 hektarë. “Banesat janë të ndërtuara me trarë drurësh që kanë qenë të veshura me baltë. Kemi gjetur edhe fara të karbonizuara të drithërave, që tregojnë për aktivitet bujqësore të kësaj popullsie. Kemi gjetur kocka kafshës, që tregon se këta njerëz rrisnin dhe ushqeheshin me kafshë të buta. E rëndësishme për ne është që të kuptojmë përtej organizimit social dhe atij ekonomik”.

Korça është e njohur për vendbanimet e neolitit dhe gjithë periudhat e historisë, thotë Andoni. “Ndërsa në Pogradec do të thosha që ky është vendbanimi më i hershëm, pasi daton në mijëvjeçarin IV para Krishtit”.

Për Drejtorin e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në Pogradec Ledjan Zeqollari ky vendbanim është një tjetër vlerë e shtuar për turizmin e Pogradecit. “Këto e shtojnë hartën turistike të qutetit, që do të tërheqin interesin e vendasve dhe të huajve”, tha Zeqollari.