24 vjet nga vrasja, Berisha dhe Meta homazhe për Azem Hajdarin: Frymëzim për protesta

Publikuar më: 12/9/2022, ora 17:15
sali berisha 2 1280x720

24 vjet nga vrasja, Berisha dhe Meta homazhe për Azem Hajdarin: Frymëzim për protesta

Publikuar më: 12/9/2022, ora 17:15

Përfaqësues të Partisë Demokratike së bashku me familjen Hajdari zhvilluan një ceremoni për kujtimore në 24-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit pranë memorialit të ngritur në nder të tij.

Pasi zhvilloi nderimet, kryetari i PD, Sali Berisha shprehu mirënjohje për figurën e ish-liderit të Dhjetorit dhe i bëri thirrje qytetarëve të frymëzohen nga guximi i Azem Hajdarit për t’u ngritur në protesta kundër çfarë ai konsideron si regjim i Edi Ramës.

“Vepra e Azem Hajdarit është një frymëzim i madh për shqiptarët, për t’u ngritur fuqishëm në protesta dhe demonstrata dhe për të rrëzuar këtë regjim, i cili qëndron mbi votën e vjedhur, mbi votën e rrëmbyer të shqiptarëve, qëndron mbi lidhjet e tmerrshme me krimin dhe drogën, qëndron mbi varfërimin e frikshëm progresiv të shqiptarëve”, tha Berisha.

E vetmja që foli nga familjarët ishte Rudina Hajdari, vajza e Azemit, që ftoi të gjithë të rinjtë të bëhen bashkë për të ndryshuar vendin duke pasur si busull veprat e babait të saj.

“Shqiptarët kanë humbur të gjitha shpresat se ndryshimi do vij, ndaj mendoj se Azemi është figura që të frymëzohemi dhe të mendojmë se ai është personi, që si student u çua për të sjellë ndryshimin. Mesazhi im sot është për të rinjtë që duan ta ndërtojnë jetën në Shqipëri, hajde të organizohemi dhe të luftojmë për idealet tona, të fitojmë betejat për më shumë demokraci, drejtësi, meritokraci”.

Pas demokratëve, ishte kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili zhvilloi homazhe pranë memorialit. Edhe sipas tij, vendi ka nevojë jetike për protesta.

“Mjafton të shohësh numrin e nxënësve, për të kuptuar se kemi një kërcënim serioz për ekzistencën e shtetit, për të ardhmen dhe kombin tonë që vjen nga rënia e vlerave të demokracisë. Shpirti i protestës do të rivendosë demokracinë, vullnetin e sovranit dhe të garantojë që sistemi i llogaridhënies të funksionojë për 200 vitet e ardhshme”, tha Meta.

Azem Hajdari, ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit të 90 që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, si dhe deputet e kryetari i parë i Partisë Demokratike. Ai u vra më 12shtator të vitit 1998, në Tiranë në moshën 35-vjeçare,pak metra nga selia e PD.