Debate në Komisionin e Integrimit, Tabaku: Ndërkombëtarët të shqetësuar për Beqjan në krye të Agjencisë së Planifikimit Strategjik

Publikuar më: 12/9/2022, ora 13:30
tabaku beqja 1280x720

Debate në Komisionin e Integrimit, Tabaku: Ndërkombëtarët të shqetësuar për Beqjan në krye të Agjencisë së Planifikimit Strategjik

Publikuar më: 12/9/2022, ora 13:30

Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin se kryeministri po përqendron pushtetet në duart e tij në kundërshti me logjikën e krijimit të kësaj agjencie dhe vendosjes së saj në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Shkak për këtë është bërë emërimi i ish-ministrit Ilir Beqja në krye të Agjencisë së Planifikimit Strategjik dhe Ndihmës së Huaj. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Integrimit Europian, Tabaku u shpreh se ajo ka informacione të sakta në lidhje me kundërshtinë që ndërkombëtarët, posaçërisht delegacioni BE, ka pasur ndaj emërimit të Ilir Beqjas dhe përqendrimit të pushtetit te kryeministri.

“Shqetësimi është shprehur edhe nga delegacioni i BE-së dhe kolegë të tjerë copëzimi i menaxhimit të funksioneve dhe procesit të integrimit. Kemi dy institucione që merren me këtë proces. Mungesë qëndrueshmërie që nuk na bën seriozë karshi partnerëve ndërkombëtarë. Sot fondet IPA menaxhohen me fondet e tjera. Sot do të shkojnë disa palë përfaqësuese dhe jo një, ky është shqetësimi i parë, i dyti ka të bëjë me auditimin. Kjo do të impaktojë dhe cilat janë masat që po merren?”

Por ish-ministri Beqja u përgjigj se ndaj atij personalisht nuk është shprehur asnjë kundërshti dhe se nuk kishte dijeni nga eprorët e tij.

“Mua vetë asnjë zyrtar i KE-së dhe delegacionit europian nuk më kanë shprehur asnjëherë në rrugë  zyrtare asnjë shqetësim sesi funksionon IPA që nga dhjetori e deri dje pasdite”.

Beqja theksoi se ky ndryshim ka ndodhur si pasojë e ndryshimeve gjeostrategjike që kanë ndodhur në botë.

“Sipas vendimit, drejtori i strategjisë është dhe drejtor kombëtar i IPA-s. Ne kemi një proces politik, që drejtohet nga ministria përgjegjëse për Europën dhe punët e jashtme, një proces teknik që drejtohet nga kryenegociatori dhe asistenca financiare e kryer nga IPA. Të tria kolonat funksionojnë në një agjendë unike. Një herë në 3 muaj ne sjellim një raport që ka të bëjë me zbatimin e programeve IPA. Një element i veçantë nga struktura që drejtoj është edhe agjencia e auditimit të fondeve IPA. Nuk dua të bëj polemikë, por ne nuk menaxhojmë asnjë fond. Ne rrimë te programimi. Është e vërtetë që programi është i ndarë, kemi një drejtori bashkërendimi të ndihmës dhe një për financimin. Lidhur me auditimin është një agjenci më vete në varësi të kryeministrit. Nuk ka një model të rekomanduar”.

Tabaku iu përgjigj se ambasadorë të nderuar dhe pjesë të vendeve partnere janë larguar në prezantimin e tij nga kryeministri Rama. Ajo ripërsëriti qëndrimin e saj në lidhje me krijimin e kësaj agjencie në kryeministri dhe gjithashtu emërimin e Beqjes, si dhe pohoi votën pro marrëveshjes së IPA III.