Rama uron nxënësit nga shkolla “Jeronim de Rada”: Puna është qejfi më i madh

Publikuar më: 12/9/2022, ora 08:32
12 SHTATOR EDI RAMA TEK JERONIM DERADA frame 13033 1280x720

Rama uron nxënësit nga shkolla “Jeronim de Rada”: Puna është qejfi më i madh

Publikuar më: 12/9/2022, ora 08:32

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur shkollën “Jeronim de Rada” për të uruar nxënësit dhe mësuesit në nisje të vitit të ri shkollor.

“Suksese dhe bëni qejf dhe punë, se puna është qejfi më i madh”, i uroi kryeministri nxënësit e kësaj shkolle.

Shkolla “Jeronim De Rada” është një nga 100 shkollat e projektit pilot ku viti arsimor nis me gjeneratën e re të laboratorëve për mësimin e teknologjisë digjitale, për t’u shtrirë hap pas hapi në të gjitha shkollat e vendit.

“Ky projekt i çon fëmijët në një stad të ri dhe u jep një mundësi për t’i përgatitur për një treg pune krejt tjetër që ka të bëjë me nivelin e shërbimeve IT të sipërmarrjeve, por edhe shërbimet në tregun e madh online, si dhe të testojnë veten”, tha Rama.

Programi i TIK-ut për klasën e parë është konceptuar mbi bazën e krijimit të njohurive dhe aftësive digjitale të nxënësve që në moshë të hershme, duke respektuar kuadrin moshor dhe nivelin fillestar të njohurive që këta nxënës zotërojnë.

Ky program, i hartuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë britanikë të AADF, specialistë të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), specialistë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI),  përfaqësues të kabinetit të Ministrisë së Shtetit për Fëmijët dhe Rininë, zhvillon fushën dhe kompetencat kryesore përmes 4 tematikave kryesore: “Bota e kompjuterit”, “Hyrje në multimedia”, “Të menduarit kompjuterik dhe kodimi”, “Siguria e të punuarit në kompjuter”.