Shtohen polemikat pas pamjeve të reja, Bonucci: Nuk isha në pozicion jashtë loje

Publikuar më: 12/9/2022, ora 08:42
bonucci candreva

Shtohen polemikat pas pamjeve të reja, Bonucci: Nuk isha në pozicion jashtë loje

Publikuar më: 12/9/2022, ora 08:42

Goli i polakut Milik, që do t’i jepte fitoren Juventusit në sekondat e fundit ndaj Salernitanës, u anulua për një pozicion jashtë loje të Bonuccit, pas rishikimit në VAR nga arbitri kryesor.

Një vendim që shkaktoi shumë polemika dhe një sherr masiv në fushë, ku u ndëshkuan me karton të kuq vetë Milik, Cuadrado, trajneri Allegri (Juventus) dhe Fazio (Salernitana). Kjo për faktin se bardhezinjtë pretendonin se Bonucci nuk e preku topin që shkoi në rrjetë, por arbitri e konsideroi aktiv pozicionin jashtë loje të kapitenit juventin, duke lënë rezultatin në 2-2.

Por, diskutimet nëpër studiot televizive dhe rrjetet sociale u “ndezën” edhe më shumë kur u shfaq një pamje që duket se nuk u pa nga VAR-i dhe që tregonte pozicionin e Candreva në fushë, që mbante në lojë Bonuccin.

Vetë mbrojtësi i Juventusit u shpreh kështu: “Më thanë që isha në pozicion jashtë loje aktiv. Portieri nuk do ta kapte kurrë atë top, pozicioni im nuk ndikoi në ndërhyrjen e tij. Pastaj, është edhe dyshimi që nuk e kanë parë fare pozicionin e Candreva. Nga vijëzimet e fushës, duket se ai më mban në lojë. Gjithsesi, pozicioni im jashtë loje nuk ishte aktiv”.