Irani bën gati dronin kamikaz që “godet Tel Avivin”. Reagon Izraeli: Përgjigja do të jetë e dhimbshme

Publikuar më: 13/9/2022, ora 14:30

Irani bën gati dronin kamikaz që “godet Tel Avivin”. Reagon Izraeli: Përgjigja do të jetë e dhimbshme

Publikuar më: 13/9/2022, ora 14:30

Irani ka ndërtuar një dron vetëvrasës për sulme në distancë të gjatë, i projektuar për të goditur qytetet e Izraelit. Komandanti i forcave tokësore të Iranit, Gjeneral Brigadier Kioomars Heidari tha në një mesazh në televizionin shtetëtor se droni i quajtur “Arash 2” ka kapacitete të veçanta të ndërtuara specifikisht për të goditur Haifan dhe Tel Avivin.

Gjenerali Heidari tha: “Sot kemi dronë që mund të godasin objektivin deri në 2000 kilometra largësi. Sigurisht kemi edhe dronë për distanca më të vogla”.

Pas prezantimit të dronit, drejtori i Mossad-it, David Barnea, reagoi duke i paralajmëruar udhëheqësit e Republikës Islamike për shmangien e përdorimit të forcës ndaj vendit të tij.

Gjenerali iranian, Kioomars Heidari

“Drejtuesit më të lartë të Iranit duhet të dinë se përfshirja, në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo përmes të tretëve, në akte dhuna kundër Izraelit, do të bëjë që të japim një përgjigje të dhimbshme për përgjegjësit në tokën iraniane”, tha Barnea të hënën në një fjalim në Universitetin “Reichman”, pranë Tel Avivit.

Edhe Kryeministri izraelit, Yair Lapid, paralajmëroi Iranin që të mos vinte në provë vendin e tij. “Nëse Irani vazhdon të na provokojë, atëherë do të nxjerrim armët për distanca të gjata”, tha Lapid teksa qëndronte krah një avioni bombardues F-35.

Pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin, vendi ka shprehur hapur synimin për t’u bërë fuqi bërthamore, edhe pse thotë se vetëm për qëllime energjie. Në marrëveshjen e arritur fillimisht në vitin 2015, Iranit i premtohej heqje e sanksioneve, në këmbim të pezullimit të programit bërthamor.