Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Izolimi i Madh

Nga A2 CNN
13 Shtator 2022, 21:55 | Kosova
Izolimi i Madh

Kosova, vendi i fundit i izoluar në Ballkanin Perëndimor, është njëherësh edhe shteti më i ri në Europë, me popullsinë më të re në moshë dhe me mbështetjen më të madhe ndaj Bashkimit Europian.

Ndryshe nga fqinjët e tyre, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të presin para ambasadave me shpresën e një vize drejt Europës së premtuar, të paktën prej një dekade që nga fillimi i procesit të liberalizimit.

Se përse qytetarët e Kosovës nuk udhëtojnë dot lirisht, përtej pak shteteve të Ballkanit Perëndimor, është një dilemë e madhe, e cila e përndjek këtë vend prej shumë vitesh.

Bashkimi Europian nisi procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën në janar 2012, katër vjet pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, në vitin 2008.

Në mënyrë të përsëritur, nga viti 2018, Komisioni Europian ka deklaruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga BE-ja për liberalizmin e vizave.

Sot, 10 vjet nga nisja e procesit, Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka përfituar nga lëvizja e lirë. Krahasimisht, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut e përfituan liberalizimin në vitin 2009, Shqipëria dhe Bosnja në 2010-n.

Për më tepër, dialogu me Serbinë përbën një rrezik real për liberalizimin e vizave për Kosovën, ashtu sikundër për çfarëdo progresi të saj në përparimin europian.

Disa pyetje themelore janë trajtuar gjatë këtij dokumentari, përmes intervistave dhe dëshmive të dorës së parë, nga përfaqësues të qeverisë së Kosovës, opozitës, shoqërisë civile – nga ekspertët lokalë dhe ndërkombëtarë, nga vetë qytetarët e saj.

Përse Bashkimi Europian nuk i liberalizon vizat për Kosovën?

Çfarë e ka bllokuar procesin?

Kush e pengon lëvizjen e lirë të kosovarëve?

Cilat janë pasojat?

Dhe, a ka dritë në fund të tunelit të kësaj pritjeje pa mbarim?

Ndër personat që u janë përgjigjur këtyre pyetjeve bëjnë pjesë:

Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministër i Parë i Kosovës

Shqipe Mjekiqi, Nënkryetare dhe Shefe e Integrimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës

Bernard Nikaj, Shef i Integrimit në Partinë Demokratike të Kosovës, ish-ambasador në Bruksel

Arbëresha Loxha Stublla, Drejtore Ekzekutive e Grupit për Studime Politike dhe Juridike

Taulant Hoxha, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile

Kristof Bender, Nëndrejtor dhe Hulumtues në European Stability Initiative

Rron Gjinovci, Veprimtar i shoqërisë civile

Valon Canhasi, Sipërmarrës dhe strategjist i rrjeteve sociale

Egzon Arifi, Student në Universitetin e Prishtinës

Muhamer Ibrahimi, Autor i Flamurit të Kosovës

A2 CNN shpalos aspiratat dhe vullnetin e qytetarëve të vendit, ku lëvizja e lirë dhe rrugëtimi europian përbëjnë një synim madhor. Por Kosova është edhe i njëjti vend, ku kritikat shprehen hapur dhe ku durimit po i vjen fundi, si pasojë e këtij izolimi të madh.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani