Osmani për “kornizën” e re të dialogut: Idetë pa njohjen reciproke nuk kontribuojnë për paqen afatgjatë

Publikuar më: 13/9/2022, ora 16:47

Osmani për “kornizën” e re të dialogut: Idetë pa njohjen reciproke nuk kontribuojnë për paqen afatgjatë

Publikuar më: 13/9/2022, ora 16:47

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në Prishtinë homologen hungareze, Katalin Novak. Pas një takimi, dolën në konferencë për shtyp, duke konfirmuar se dialogu me Serbinë ishte në qendër të bisedës së tyre.

Osmani mirëpriti përkushtimin e Francës dhe Gjermanisë për të sjellë një dinamizëm të ri në procesin e negociatave Prishtinë-Beograd, ndërsa komentoi dhe zërat për “kornizën e re” të dialogut që është përfolur momentalisht vetëm nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“Çdo zgjidhje duhet të jetë për paqe dhe stabilitet afatgjatë sepse gjysmë zgjidhjet ose idetë të cilat nuk kontribuojnë drejt njohjes reciproke asnjëherë nuk mund të kontribuojnë as në paqen dhe stabilitetin afatgjatë. Andaj qëndrimi i Kosovës mbetet po ai që keni qëndruar vazhdimisht, ai që është rikonfirmuar edhe në letrat e presidentit Biden dhe deklaratat publike të kancelarit Scholz, se njohja reciproke është zgjidhja përpara, njohja reciproke sjell paqen dhe stabilitetit afatgjatë”, tha Osmani.

Për dialogun Kosovë-Serbi foli dhe presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, duke këshilluar që bisedimet të vazhdojnë deri në arritjen e një zgjidhjeje kompromisi. 

“Palët negociuese duhet të gjejnë rrugën e përbashkët dhe të arrijnë të ruajnë paqen dhe stabilitetin e këtij rajoni. Sidomos tani kur ka luftë në Ukrainë dhe është me rëndësi që dialogu të vazhdojë”, shtoi Novak.

Presidentja hungareze ofroi mbështetjen për rrugën e anëtarësimeve euro-atlantike të Kosovës dhe shprehu angazhimin se do të bëjë gjithçka që Bashkimi Europian të japë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave. Edhe Osmani tha se ka ardhur koha që BE të mbajë premtimet e dhëna.