“Po shndërrohet në perandori”, pse një ditë e tetorit mund të ndryshojë historinë e Kinës

Publikuar më: 13/9/2022, ora 10:09

“Po shndërrohet në perandori”, pse një ditë e tetorit mund të ndryshojë historinë e Kinës

Publikuar më: 13/9/2022, ora 10:09

Gjithmonë në heshtje, siç ka ndodhur tradicionalisht në historinë e saj, Kina përgatitet për një nga ngjarjet që mund të ndryshojë rrjedhën e marrëdhënieve të brendshme dhe të jashtme të fuqisë aziatike.

Më 16 tetor, mbahen punimet e kongresit të 20-të të Partisë Komuniste Kineze. Një kongres, që përtej retorikës dhe mesazheve të unitetit, rëndësinë e saj e ka te zgjedhja e kreut të Partisë, që në këtë rast mban edhe postin e Presidentit të Republikës dhe kreut të ushtrisë.

Është pothuajse e qartë që Xi Xinping do të marrë mandatin e tretë, një post që ai mban që nga viti 2012. Por mënyra e zgjedhjes, debatet me dyer të mbyllura midis anëtarëve të Byrosë Politike, do të jenë një radar ku analistët e çështjeve kineze do të studiojnë me muaj për të deshifruar gjendjen e regjimit të Pekinit.

Sipas një raporti të Foreign Affair, prapa figurës solide të liderit Xi Xinping, nuk mungojnë krisjet.

Situata ekonomike nuk kap më majat e zhvillimit të dekadës së kaluar, dhe dy vitet e fundit kanë qenë të vështirë për shumë kompani që kishin arritur sukses global, ndërkohë që të ardhurat për miliona funksionarë shtetërorë janë pothuajse të përgjysmuara,  

Menaxhimi pothuajse paranojak i pandemisë, ku metropole me miliona banorë, izolohen me javë të tëra edhe vetëm për një kontakt të dyshuar me një të infektuar, kanë shkaktuar protesta ndaj vendimeve të qeverisë, një ngjarje shumë e rrallë në të kaluarën, por që po përsëritet gjithmonë e më shpesh, e dokumentuar nga rrjetet sociale që depërtojnë rrjetën e madhe të censurës në Internet, një armik i përbetuar i presidentit Xi Xinping.

Por krisjet kanë të bëjnë direkt edhe me vetë figurën e Xi Jinping. Pjesë e rrymës më të ngurtë të marksizmit, Xi po rikthen dukshëm simbole dhe vendimmarrje që rikthejnë vendin në kohën e Mao Ce Tung.  

Më i dukshëm është rikthimi, edhe pse jo zyrtar, i kultit të individit. Fotografitë dhe statujat e tij mbushin çdo shkollë dhe institucion publik të vendit, dhe ai zyrtarisht cilësohet si “lideri qendror i Partisë” titull që nuk përdorej pikërisht nga koha e Mao-s dhe që ishte zhdukur nga Kushtetuta.

Por ajo që shqetëson më shumë analistët madje edhe vetë anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, është praktikisht zhbërja e çdo reforme të kryer nga liderët paraardhës, duke filluar nga Deng Ciao Ping në vitin 1978, dhe e pasuar nga Jiang Zemin.

Në veçanti, po humb pothuajse krejtësisht binomi President/Kreu i Ekzekutivit, ku tashmë kryeministri Li Keqiang duket më shumë një figurë simbolike sesa ekzekutive, aq sa të dy nuk dalin bashkë as në fotografitë zyrtare, siç e do tradita.

Sistemi i votimeve të brendshme brenda Byrosë Politike, është zhdukur, dhe 8 anëtarët permanentë të tij, praktikisht duhet t’i raportojnë vetëm sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, post që sigurisht mbahet nga Xi.

Elementet që nuk i nënshtrohen vullnetit të tij, shndërrohen në protagonistët e pavullnetshëm të fushatash antikorrupsion, ku rrezikojnë fundin e karrierës, burgun dhe në disa raste edhe jetën.

Nga viti 2012, janë 393 kuadro dhe mbi 600 mijë funksionarë lokalë që janë hetuar me akuzën e korrupsionit, shpesh herë i provuar, ku mes tyre nuk mungojnë edhe figura që shiheshin si pasardhësit e mundshëm të tij, si kreu i forcave të sigurimit Zhou Yongkang, dhe Sun Zhengcai, anëtar i Byrosë Politike.

Ndërkohë, në politikën e jashtme, Xi ka forcuar retorikën e hapur agresive ndaj Uashingtonit, duke iu afruar madje Rusisë së izoluar ndërkombëtarisht, pas vendimit të pushtimit në Ukrainë.

“Xi Jinping po shndërron Kinën nga një regjim komunist në një perandori”, është mendimi i disa analistëve, që evidentojnë faktin që në një vend ku protestat masive duket jo realiste, e vetmja mënyrë për të luftuar pushtetin e Xi është moszgjedhja e tij, që sipas disave do të shmangte edhe objektivin e tij madhor, sulmin dhe rikthimin e Tajvanit nën pushtetin e Pekinit, vendim që mund të gjeneronte një konflikti rajonal dhe ndoshta botëror.