“Shtëpitë e barit” në Britani, Ministria e Brendshme: 6 në 10 shqiptarë të kthyer, kultivues

Publikuar më: 13/9/2022, ora 15:15

“Shtëpitë e barit” në Britani, Ministria e Brendshme: 6 në 10 shqiptarë të kthyer, kultivues

Publikuar më: 13/9/2022, ora 15:15

Në çdo 10 shqiptarë që deportohen nga Britania e Madhe, 6 punojnë në të ashtuquajturat “shtëpi bari”, që merren me kultivimin e bimëve narkotike.

Statistikat u dhanë nga Ministra e Brendshme në Komisionin e Ligjeve ku po shqyrtohej marrëveshja e re me Britaninë e Madhe kundër emigracionit të paligjshëm.

 “Janë 1500 të burgosur shtetas shqiptar në Britaninë e Madhe. Gjatë janar-gushtit 2022 janë kthyer në kuadër të bashkëpunimit 529 persona. 340 persona kultivim i bimëve narkotike”, deklaroi zëvendësministri i Brendshëm, Andi Mahila.  

“A e dini që rekrutohen fëmijë, 18 vjeçar apo djem të rinj 20 vjeçar vetëm që të shkojnë tek shtëpitë e barit dhe a e dini që fjala e parë në daljen përpara gjykatave angleze është që kam ardhur për të larë borxhin sepse bën 25 mijë euro rruga”, shtoi deputeti i PD-së, Dashnor Sula.  

Këtë shqetësim nuk e pati vetëm opozita në sallë, por edhe vetë deputetët e mazhorancës, pyetjet e të cilëve duket se i bezdisën përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme.

“A ka informacione Ministria e Brendshme për ngritje të stukuarve kriminale në Shqipëri dhe në Britaninë e Madhe për trafikimin e paligjshëm? Ta përsëris?”, ishte pyetja e deputetit të PS-së, Denis Deliu.  “Kemi ardhur për memorandumin e bashkëpunimit jo për statistika”, u përgjigj Mahila.  

Në mungesë të dhënave, fjala i kaloi drejtorit të kufirit dhe migracionit në Policinë e Shtetit, Saimir Boshnjaku, i cili bëri përgjegjës edhe rrjetet sociale për shtimin e emigrimit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar.

“Ka pasur tendenca qoftë nëpërmjet rrjeteve sociale për të angazhuar grupet kriminale për të madhe një numër më të madh për të rritur fitimet e tyre. Ka një gjë tjetër, që rrjetet sociale nuk shprehen për goditjet që janë bërë”, ishin fjalët e Boshnjakut.  

Ky është projektligji i tretë që Parlamenti i Shqipërisë miraton në kuadër të bashkëpunimit me Britaninë e Madhe kundër emigrimit të paligjshëm, fenomen i cili është bërë shqetësues sidomos gjatë muajve të verës.