“Çështjen e mbylli Edi Rama”, PD kërkon rihapjen e hetimeve: Përgjegjësitë bien mbi Lulzim Bashën

Publikuar më: 14/9/2022, ora 12:16
WhatsApp Image 2022 09 14 at 12.02.50

“Çështjen e mbylli Edi Rama”, PD kërkon rihapjen e hetimeve: Përgjegjësitë bien mbi Lulzim Bashën

Publikuar më: 14/9/2022, ora 12:16

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, reagoi “pas publikimit të një lajmi të bazuar në raportin e shërbimeve inteligjente të SHBA në Zërin e Amerikës, për inflitrimin rus në politikën e disa vendeve, dhe financimin e politikanëve në këto vende, ku përfshihet financimi me 500 mijë dollarë të ish-kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në zgjedhjet e vitit 2017”.

“Partia Demokratike ka denoncuar përdorimin e kësaj afere për marrjen peng të këtij individi me qëllim shkatërrimin e Partisë Demokratike. PD ka denoncuar ndërhyrjen direkte të Edi Ramës, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi për mbylljen e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës për këtë aferë. Partia Demokratike do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm. Raporti i auditimit do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet. Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve”, u shpreh Garo.

“Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike. Rruga tipike mafioze që u gjet për këtë ishte mosdërgimi, në kundërshtim të hapur me ligjin, i dosjes në Gjykatën e Lartë. Partia Demokratike kërkon transparencë dhe një proces të qartë publik. Ajo është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet shqiptare dhe të vendeve partnere për zbardhjen e plotë të së vërtetës së kësaj çështjeje, dhe deklaron se misioni i saj ka qenë dhe vijon të jetë vokacioni perëndimor i kombit shqiptar dhe besnikëria ndaj vlerave themelore që ndajmë me partnerët tanë”, shtoi zëdhënësja e PD-së.