Deputeti gjerman: Lufta kundër korrupsionit, kriter për integrimin

Publikuar më: 14/9/2022, ora 16:51

Deputeti gjerman: Lufta kundër korrupsionit, kriter për integrimin

Publikuar më: 14/9/2022, ora 16:51

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane në Bundestagun Gjerman, Anton Hofreiter, në një intervistë për A2 CNN tregon sfidat që i paraqiten Shqipërisë në plotësimin e kushteve për t’u bërë vend anëtar i unionit. Sipas tij, vonesa në çeljen e negociatave mund të kompensohet nga shpejtësia me të cilën vendi do të mund të plotësojë kriteret e BE-së duke renditur si ndër kryesore luftën kundër korrupsionit. Sa i takon emigrimit të të rinjve shqiptar drejt Gjermanisë, Hofreiter u qeveria duhet të krijojë më shumë mundësi që ata ta shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Z. Hofreiter, falemnderit për këtë intervistë. Si po shkon vizita juaj në Shqipëri? Cilat janë përshtypjet tuaja për këtë vend me diell në Ballkanin Perëndimor?

Përshtypjet e para janë vërtetë mbresëlënëse. Erdhëm nga Maqedonia e Veriut dhe pamë Liqenin e Ohrit që ishte vërtet shumë i bukur. Ju keni një natyrë të mrekullueshme dhe mendoj që ky është një nga asetet më të mëdha në vendin tuaj, së bashku me biodiversitetin.    

Shqipëria ka bërë tashmë një hap tjetër në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Si mund të bëhet ky vend i vogël pjesë e familjes së madhe europiane?

Mendoj që vendi juaj është tashmë pjesë e familjes europiane, por tani duhet të rrisni shpejtësinë për t’u bërë një vend anëtar me të drejta të plota. Fatmirësisht, negociatat për anëtarësim filluan. Na u desh shumë kohë. Për të qenë të drejtë, ka qenë një humbje kohe për Bashkimin Europian. Por, tani kanë nisur dhe e përsëris, është në dorë të Shqipërisë se sa shpejt do të ecë në këtë proces, ku më kryesorja është zbatimi i ligjeve, lufta kundër korrupsionit dhe shpresoj që në disa vite, Shqipëria do të jetë një vend me të drejta të plota në Bashkimin Europian.

Integrimi në Bashkimin Europian paraqet disa sfida dhe një ndër to është luftimi kundër emigrimit të paligjshëm. Të rinjtë shqiptarë zgjedhin Bashkimin Europian dhe kryesisht Gjermaninë për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Cila është këshilla juaj për të rinjtë shqiptarë?

Mendoj që vetë vendi, gjithashtu dhe qeveria, duhet të bëjë më shumë në mënyrë që të rinjtë të shohin mundësi këtu, në vendin e tyre. Nëse ata do të kenë vende të mira pune, atëherë ata do të qëndrojnë. Nëse këto të rinj ikin për disa kohë në Gjermani, është interesante, pasi mund të mësojnë dhe të kthehen më pas për të ndërtuar vendin e tyre.

Largimi i njerëzve është më i dukshëm në zonat rurale. Fshatrat po boshatisen duke vënë në pikëpyetje funksionimin e motorit ekonomik të Shqipërisë, siç është bujqësia?

Ne kemi parë që në shumë vende të botës njerëzit zgjedhin të largohen nga zonat rurale. Kjo është diçka normale në vendet e lira, ku njerëzit të jetojnë ku të duan, përsa kohë ka vende të mira pune. Por, mendoj se një nga mënyrat më të mira janë metodat moderne të bujqësisë. Bujqësia mund të japë mundësi punësimi. Një ndër to është prodhimi i verërave të mira, prodhimi i djathërave të mirë, apo fermat organike. Gjithashtu, është edhe agroturizmi për të cilën mendoj se është një mundësi e mirë për zhvillimin e këtyre zonave. Ne nuk duhet të harrojmë që është gjithashtu një mundësi e mirë për të prodhuar energji të rinovueshme si energjia diellore apo e erës, sepse qytete si Tirana kanë nevojë për shumë energji, e cila mund të prodhohet në zonat rurale.

Si mund të implementohet eksperienca gjermane në sektorin e bujqësisë në Shqipëri?

Në këto momente, vendet janë në një krizë çmimesh. Ato janë tepër të larta dhe shpresoj që do të tejkalohet dhe për këtë po punojmë. Por, Shqipëria duhet të prodhojë produkte me cilësi të lartë. Për shembull, Shqipëria ka pemë ullinj dhe një vaj ulliri tepër cilësor, që mund të përkthehet në shumë para, siç është edhe vera apo djathi, produkte të cilat përkthehen edhe në vende pune.

Kur bëhet fjalë për standarde në Shqipëri, më të lartat janë ato gjermane. Në këtë kontekst, nuk e di nëse keni pasur mundësi të njiheni me situatën politike në Shqipëri, ku lideri i partisë më të madhe opozitare është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë. Në këndvështrimin tuaj, sa e ndërlikon kjo panoramën politike për një vend që pretendon të bëhet pjesë e familjes me standardet më të larta europiane?

Mendoj që është tepër e rëndësishme për një vend që kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian që të luftojë korrupsionin, të forcojë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe të forcojë zbatimin e ligjit. Kjo është një nga gjërat më të rëndësishme që duhet të bëni. Sigurisht që ka edhe shumë gjëra të tjera, si përmirësimi i sistemit shëndetësor, arsimi apo çështjet klimatike. Sigurisht, qeveria ka bërë punën e saj, por për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian është shumë e rëndësishme për të pasur një drejtësi të pavarur dhe për të luftuar korrupsionin.