Dorëhiqet kryeministrja suedeze, partia e ekstremit të djathtë do të jetë pjesë e qeverisë së re

Publikuar më: 14/9/2022, ora 20:21

Dorëhiqet kryeministrja suedeze, partia e ekstremit të djathtë do të jetë pjesë e qeverisë së re

Publikuar më: 14/9/2022, ora 20:21

Kryeministrja social-demokrate e Suedisë, Magdalena Andersson, do të dorëhiqet nga posti, pasi pranoi humbjen në zgjedhjet parlamentare të së dielës, që i dhanë një fitore të ngushtë bllokut të partive të djathta.

Me 99% të votave të numëruara, koalicioni i qendrës së majtë të Andersson duket se do të ketë 173 vende në Parlament, ndërsa kundërshtarët e djathtë 176.

“Duket se partitë e djathta kanë siguruar vetëm 50% të votave në zgjedhjet parlamentare dhe do të kenë 1 ose 2 vende më shumë në Parlament. Është një shumicë e ngushtë, por mbetet shumicë. Kështu, do të kërkoj dorëheqjen time si kryeministre dhe përgjegjësia për vijimësinë e procesit do të jetë tek kryetari i Parlamentit dhe Parlamenti”, tha Andersson. 

Blloku fitues përfshin Demokratët e Suedisë, një parti e ekstremit të djathtë e lindur nga lëvizja neonaziste e viteve ‘80, që ka bërë fushatë kundër sulmeve në rritje nga bandat e armatosura. Fushata elektorale u dominua nga çështjet e bandave, emigracionit, integrimit dhe rritja e çmimeve.

Fitorja e bllokut të djathtë, që përbëhet nga Demokratët e Suedisë, Patia e Moderuar, Kristian-Demokratët dhe Liberalët, shënon një pikë kthese në politikën suedeze. Demokratët e Suedisë ishin dikur një parti e izoluar dhe pa përkrahje, por tani kanë siguruar 20% të votave. Ajo ka premtuar ta bëjë Suedinë sërish të sigurt, duke implementuar dënime më të gjata me burg e duke kufizuar emigracioin. E megjithatë, lideri i partisë, Jimmie Akesson, nuk do të jetë kryeministër, pasi nuk ka mbështetjen e plotë të të katërta partive. Lideri i Partisë së Moderuar, Ulf Kristersson, pritet të krijojë qeverinë.