Kundërofensiva në lindje, ukrainasit për rusët: Ata jetonin si derra, na kanë torturuar

Publikuar më: 14/9/2022, ora 16:57

Kundërofensiva në lindje, ukrainasit për rusët: Ata jetonin si derra, na kanë torturuar

Publikuar më: 14/9/2022, ora 16:57

Pas avancimeve të mëdha në lindje, ushtria ukrainase tashmë po synon ta vazhdojë kundërofensivën kundër trupave të Rusisë edhe në rajonin e Donbasit.

Kreu në ekzil i Luhansk, Serhiy Hayday, pretendon se forcat e Kievit kanë arritur një pikë strategjike në qytetin e Lyman. Kjo zonë ra në duart e pushtuesve në fund të majit dhe ndodhet vetëm 50 kilometra larg nga Donjeckut, kryeqendra e republikës së vetëshpallur me të njëjtin emër.

Në ditët e fundit, trupat e Kievit rimorën zona të rëndësishme të pushtuara, duke detyruar forcat e Rusisë që të tërhiqeshin. Presidenti, Volodymyr Zelensky tha se bëhet fjalë për mbi 8 mijë kilometër katrorë që është hequr nga duart e pushtuesve në rajonin e Kharkiv.

“Pjesa e mbetur e forcave pushtuese dhe grupeve të sabotazhit po zbulohen, bashkëpunëtorët po arrestohen dhe siguria e plotë po rivendoset”, tha Zelensky.

Banorët e qytetit Izium të rajonit Kharkiv, të lehtësuar pas çlirimit, tregojnë tmerret e përjetuar dhe zemërimin ndaj forcave ruse duke thënë se ata jetonin si derrat.

“Ata zhveshën bashkëshortin tim në mbathje. Këtu në rrugë i zhvishnin të gjithë. Të shikonin dhe rrotullonin. Kontrollonin për shenja apo tatuazhe. Nëse dikush ishte në ushtri ose jo, ata i merrnin njerëzit… ishte një horror këtu”, tha një nga banoret.