Kurti zbulon tri temat e diskutuara në takimin me Ramën

Publikuar më: 14/9/2022, ora 15:45

Kurti zbulon tri temat e diskutuara në takimin me Ramën

Publikuar më: 14/9/2022, ora 15:45

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zbuloi temat e diskutuara në takimin që e konsideroi urgjent me homologun shqiptar, Edi Rama, në Tiranë. Ai bëri të ditur se në drekën e punës, që zgjati dy orë, bisedoi për sigurinë kibernetike, krizën energjetike dhe takimin e radhës të Procesit të Berlinit. Ndërsa temën e nxehtë të Ballkanit të Hapur, nuk e kishin cekur.

“Takim i djeshëm ka qenë një drekë pune me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe ka qenë një takim shumë i mirë, konstruktiv e pozitiv dhe i nevojshëm për shkak të temave që i kemi diskutuar e para është siguria kibernetike. Kjo ka qenë tema e diskutimit tonë dhe isha shumë i interesuar të marrë vesh sa më shumë për përvojën e tyre me sulmet e fundit që kanë qenë me të vërtetë shumë të dëmshme e kriminale”, tha Kurti në një konferencë për mediat.

“Tema e dytë ka qenë sfidat e energjisë në javët e muajt në vijim në kuptimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të çmimeve të përballueshme ku ju e dini se KEK dhe KESH bashkëpunojnë ngushtë, ne tash gjatë verës u kemi dhënë shumë energji elektrike në Shqipëri në mënyrë që ata të na ndihmojnë pastaj gjatë dimrit dhe kemi diskutuar për situatën energjetike në përgjithësi… Tema e tretë ka qenë përgatitjet në dritën e rifillimit të Procesit të Berlinit, kësaj radhe me kancelarin e ri gjerman, Olaf Scholz, sepse ju e dini që takimet e mëhershme në kuadër të Procesit të Berlinit janë bërë me zonjën Merkel e tashmë për herë të parë bëhet nga kancelari Scholz dhe ka shumë punë të ekipeve tona dhe shumë bashkëpunim paraprak drejt mbledhjes së radhës së Procesit të Berlinit”.

Kryeministri i Kosovës ironizoi nismën e ndërmarrë nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. “Në drekën që kemi pasur dje nuk është përmendur “Open Balkans”, ose “Open Balkan”, nuk e di a është me “s” në fund apo pa “s”, por ajo që mund të them është se kemi diktuar për përgatitjet sa i përket procesit të Berlinit”, tha Kurti.