PD e përfshirë në financimin rus në vitin 2017, reagon Paloka e Pollo: Të bëhet transparenca

Publikuar më: 14/9/2022, ora 10:18
pollo paloka 1280x720

PD e përfshirë në financimin rus në vitin 2017, reagon Paloka e Pollo: Të bëhet transparenca

Publikuar më: 14/9/2022, ora 10:18

Pas publikimit të raportit të inteligjencës amerikane për financimet ruse ndaj forcave politike dhe lajmit të një financimi prej 500 mijë dollarësh të PD-së në 2017-n, në kohën që drejtohej nga Lulzim Basha, kanë reaguar kreu aktual i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Genc Pollo.

Në një postim në faqen e tij në Facebook Paloka shkruan se, “kur futesh në pazar, blen dhe shet, po dhe të blejnë e të shesin…! Kujtesë për të tjerët!”, shkruan ai.

Ndërkohë Pollo kërkon nga Partia Demokratike që të bëjë transparencë mbi “500 000 dollarët rusë” të Lulzim Bashës. Sipas tij, këto financime kanë ndodhur jashtë buxhetit zyrtar te partisë dhe kanë përdorur guaskat fiskale jashtë vendit tonë me parregullsi administrative e ligjore.

“Si deputet i zgjedhur në vitin 2017, i kam besuar shpjegimeve publike të asokohe kryetarit Lulzim Basha se në asnjë mënyrë burimi i financimit nuk ka qenë Rusia ose të tjera shtete apo organizata jomiqësore me Shqipërinë (fatkeqësisht organeve partiake nuk ju paraqit siç parashikon statuti raporti financiar vjetor që mund të hidhte dritë mbi detajet e këtyre pagesave).

Këto financime kanë ndodhur jashtë buxhetit zyrtar të partisë dhe kanë përdorur guaskat fiskale jashtë vendit tonë. Këtu mund të kemi të bëjmë me parregullsi administrative e ligjore; mbase edhe me shkelje penale.

Por sot nuk kemi thjesht këto probleme të cilat mbeten pjesërisht të pazgjidhura.

Sot kemi të bëjmë me pohime zyrtare amerikane se Basha mori financime në vitin 2017 nga një shtet atëherë jomiqësor dhe sot, me agresionin e përgjakshëm kundër Ukrainës dhe rendit ndërkombëtar, një shtet armik.

PDSH si partia që historikisht rrëzoi komunizmin dhe e orientoi Shqipërinë drejt Europës e Perëndimit nuk ka asnjë arsye të mbajë të tilla njolla, hije apo dyshime.

Prandaj do të propozoj zyrtarisht që udhëheqja aktuale, përfshi kryetarin Berisha e Sekretarin e Përgjithshëm Noka të ndërmarrin një audit të plotë të çështjes të drejtuar nga një Komision i Posaçëm. Raporti i auditimit duhet t’u prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, si dhe të publikohet në websitin e partisë.

Unë jam i ndërgjegjshëm se situata është komplekse: për shkak të ndërlikimeve gjyqësore një sërë targash nga aksesi në llogaritë bankare deri te websiti i partisë janë ende të kontrolluara nga Basha e njerëzit e tij. Gjithashtu, çfarëdo informacioni amerikan të marrë qeveria Rama mendoj se nuk do përdorë në interesin shtetëror por për të dëmtuar opozitën edhe tani që Basha ka ikur. E ka provuar këtë edhe duke keqpërdorur ndërkombëtarë të caktuar.

Por këto nuk janë arsye që PD-ja të mos pastrojë plehun e mbetur në Haurin e Avgjisë. Qoftë edhe duke thirrur para Komisionit të Posaçëm të Auditimit të tërë zyrtarët partiakë përgjegjës; përfshi edhe ish-kryetarin e partisë. Dhe duke bërë transparencë të plotë mbi çështjen”, shprehet Pollo.