Qeveria miraton rritjen e pensioneve dhe pagës minimale

Publikuar më: 14/9/2022, ora 12:37
14 SHTATOR 2022 MINISTRAT frame 4574 1280x720

Qeveria miraton rritjen e pensioneve dhe pagës minimale

Publikuar më: 14/9/2022, ora 12:37

Këshilli i Ministrave ka miratuar të mërkurën vendimin për rritjen e pensioneve dhe të pagës minimale.

“Nga ky vendim përfitojmë rreth 678 mijë pensionistë, të cilët nga tetori do të kenë rritje të pensioneve në nivelin 9,5%”, tha ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj në një dalje për mediat.

Paga minimale, sipas vendimit të fundit, shkon nga 32 mijë në 34 mijë lekë. “Ky është një vendim që prek mbi 200 mijë të punësuar, të cilët përfitojnë nga vendimi. Pra kemi rreth 900 mijë qytetarë që përfitojnë nga rritja e pensioneve dhe pagës minimale”, tha Ibrahimaj.

Ndryshimet janë pjesë të paketës së dytë të rezistencës sociale, të prezantuar 1 javë më parë nga Kryeministri Edi Rama, për të përballuar rritjen e çmimeve, për shkak të luftës në Ukrainë dhe jo vetëm.

Ndryshe nga sa ndodhi në paketën e parë e cila përfundoi në qershor, pensionistët dhe shtresat e tjera më në nevojë nuk do të marrin 3 mijë lekë çdo muaj. Deri në fund të këtij viti, të moshuarit në fshat do të marrin 600 lekë më tepër, ndërsa ata në qytet rreth 1 mijë lekë. E njëjta vlen edhe për familjet që marrin ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi ndryshe, kategori të cilat do të marrin përkatësisht 700 dhe 800 lekë më shumë.