Sulmet e fundit, Kosova themelon agjencinë për sigurinë kibernetike

Publikuar më: 14/9/2022, ora 16:03

Sulmet e fundit, Kosova themelon agjencinë për sigurinë kibernetike

Publikuar më: 14/9/2022, ora 16:03

Qeveria e Kosovës zhvilloi një mbledhje me shumë vendime. Kryeministri Albin Kurti i mori me radhë të gjitha problematikat kryesore me të cilat përballet vendi, duke nisur nga sulmet e fundit kibernetike dhe miratuar një projektligj për luftimin e tyre me anë të një agjencie të re që do të krijohet. “Detyrë me rëndësi e Agjencisë do të jetë reagimi ndaj kërcënimeve dhe incidenteve në hapësirën kibernetike të Kosovës”, tha Kurti.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dha detaje mbi atë që ndodhi në Kosovë. “Ditëve të fundit jemi ballafaquar me sulme kibernetike që kanë shkaktuar herë pas herë pengesa në shërbimin e internetit brenda institucioneve, por që ka ndikuar edhe në pamundësinë e herë pas hershme të qasjes në shërbime, tendenca këto që rrezikojnë funksionimin e shërbimeve”, tha ai.

Në këtë mbledhje u miratuan dhe projektligjet për Prokurorinë Speciale dhe Prokurorinë e Shtetit. Një tjetër vendim i marrë ishte ai për ngritjen e Institutit të Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovës. “Dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës do të jenë në fokus të veprimeve të Zyrës së Kryeministrit. Vetëm me respektimin e duhur të së kaluarës mund të kemi një të ardhme të ndritur”, tha Kurti.

Qeveria e Kosovës miratoi nismën për njohjen reciproke të patentave me Hungarinë. Më pas vëmendja u zhvendos në sektorin e ekonomisë, ku u prezantuan 20 masa të detyrueshme për institucionet publike të Kosovës për kursimin e energjisë elektrike duke përfshirë ndërrimin e llambave standarde me ato LED, dhe caktimin e temperaturave të dhomës në 19 gradë. Gjithashtu kabineti qeveritar miratoi vendimin për vazhdimin e kundërshtimit të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

“Pako e gjashtë e sanksioneve përfshin: ndalimin e importit të naftës së pa përpunuar dhe produkteve të naftës së rafinuar nga Rusia me përjashtime të kufizuara. Gjithashtu Bashkimi Evropian njoftojë sanksione kundër 65 individëve dhe subjekteve të tjera, ku përfshihen individë përgjegjës për krimet e kryera në Bucha dhe Mariupol”, tha Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës.

Gjithashtu qeveria e Kosovës miratoi dhe projektligjin për tubimet publike, me synimit që të sigurohet ushtrimi i kësaj të drejte kushtetuese.