Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Von der Leyen mban fjalimin vjetor: Ballkani të bëhet pjesë e BE, pa të nuk jemi të kompletuar

Nga A2 CNN
14 Shtator 2022, 13:36 | Bota
Von der Leyen mban fjalimin vjetor: Ballkani të bëhet pjesë e BE,

Shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, duhet të bëhen pjesë e familjes europiane, pasi pa to, unioni nuk do të jetë i kompletuar.

Kjo ishte kërkesa e qartë e presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, në fjalimin vjetor për Parlamentin Europian.

Shefja e KE-së tha se mënyra më e shpejtë për të zgjeruar sundimin e demokracisë, është duke i forcuar lidhjet me shtetet demokratike në kontinentin evropian.

“Kjo fillon me ato shtete që tashmë janë në rrugë drejt unionit tonë. Ne duhet të jemi në anën e tyre në secilin hap të kësaj rruge, sepse rruga drejt demokracisë së fuqishme dhe rruga drejt Bashkimit Europian është e njëjtë. Prandaj, dua që njerëzit në Ballkanin Perëndimor, në Ukrainë, në Moldavi dhe në Gjeorgji ta dinë: ju jeni pjesë e familjes sonë, e ardhmja e juaj është në union dhe unioni ynë nuk është i kompletuar pa ju”, deklaroi Von der Leyen.

Presidentja e KE-së tha se mbështet idenë për formimin e një bashkësie politike evropiane, duke shtuar se propozimet për këtë temë do të paraqiten gjatë samitit të bllokut evropian që pritet të zhvillohet në tetor në Pragë.

Von der Leyen tha se krijimi i kësaj bashkësie nuk do të kishte qëllim zëvendësimin e zgjerimit të BE-së. Në fjalimin e saj, Von der Leyen shpalosi planin për të ulur çmimet e energjisë që kanë tronditur Europën pas luftës ruse në Ukrainë.

Ajo bëri thirrje për reduktim të përdorimit të elektricitetit me të paktën 5 për qind, por planet për të vendosur një çmim tavan te gazi natyror i eksportuar nga Rusia, u lanë pezull.

 “Tkurrja e konsumit të energjisë në orët e pikut do të bëjë që rezervat të zgjasin më gjatë dhe çmimet të ulen. Propozojmë një tavan në të ardhurat e kompanive qe prodhojnë elektricitet me çmim low cost.  Këto kompani po gjenerojnë përfitime që as nuk i kishin ëndërruar. Në këto kohë të vështira, të gjenerosh të ardhura rekord në kurriz të konsumatorëve, është e gabuar”, shtoi Von der Leyen.

Paratë e grumbulluara nga kufizimi i përfitimeve të tepërta të kompanive dhe kursimi i energjisë vlerësohet se do të arrijnë në 140 miliardë dollarë dhe do të shkojnë për familjet dhe bizneset rreth 27 vendeve anëtare. Në fjalimin që u ndoq edhe nga zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, Von der Leyen e veshur me ngjyrat e flamurit të shtetit në luftë premtoi se solidariteti i tyre do të jetë i palëkundur.

A2 CNN Livestream

Dita jonë