Çelaj: Qeveria u ka vrarë shpresat të rinjve, i detyron të kalojnë La Manshin

Publikuar më: 15/9/2022, ora 22:30
306955992 1139945756600092 8014787203810990141 n 1082x720

Çelaj: Qeveria u ka vrarë shpresat të rinjve, i detyron të kalojnë La Manshin

Publikuar më: 15/9/2022, ora 22:30

Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi të enjten marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkëmbimin e informacionit lidhur me migracionin. Sipas deputetit të Partisë Demokratike, Isuf Çelaj, kjo marrëveshje është një instrument ligjor që mundëson marrjen e informacionit nga autoritetet britanike nëpërmjet autoriteteve tona, për të lehtësuar kthimin e emigranteve të parregullt shqiptarë në atdhe.

“Kjo tregon se politikat e strategjitë e zhvillimit ekonomik të kësaj mazhorance kanë dështuar dhe vetëm sa kanë thelluar varfërinë e qytetarëve të thjeshtë duke e orientuar shfrytëzimin e pasurive drejt grupeve të caktuara kryesisht klientëve të afërt me të”, tha Çelaj në fjalën e tij në Kuvend.

“Kjo politikë e ka ndarë  vendin aktualisht po të shikosh hartën e investimeve në këto 9 vite ku pjesa e investimeve në veri është shumë  herë më e vogël  se në jug duke çuar në thellimin e varfërisë  kryesisht në qarkun e Kukësit dhe mund të themi se sot kjo ndarje është në klient  të qeverisë  dhe në emigrantë. Këta te fundit e ndjejnë  dhe provojnë  mbi kurriz padrejtësinë sociale që mbretëron. Përveç varfërisë këta emigrantë  kanë humbur shpresën për drejtësi sociale pasi mundësitë janë të pakta  për të bërë të mundur që të ndërtojnë jetën normalisht këtu në vendin e tyre. Në këtë  emigracion me destinacion Britaninë, bie në sy për masivitetin e largimit të qytetarëve  nga zona e Kukësit, Hasit e Tropojës! Kjo nuk është rastësi. Përveç varfërisë ekonomike, shteti dhe mungesa e dorës së tij kanë  kohë që i kanë braktisur këto krahina madje duke u hequr edhe shërbimet  bazë  siç edhe  i kam paraqitur si shqetësim këtu përpara jush, qytetet janë kthyer në fjetina pasi rinia po ikën çdo ditë!”, tha ai.

Sipas Çelajt, “qeveria u ka hequr shërbimet bazë, i ka varfëruar, u ka vrarë shpresat duke i detyruar këta të dëshpëruar të marrin arratinë. Në këtë kontekst, i vetmi shërbim  që ofron shteti është  ky memorandum për kthimin e tyre. Sigurisht këtu nuk mund të paragjykohet Britania pasi migracioni i paligjshëm është bërë shqetësim për qeverinë e saj se në morinë e emigrantëve që kalojnë La Manshin në mënyrë klandestine ka edhe element të krimit të organizuar shqiptar pra problemi qëndron se ne po eksportojmë krim dhe kjo është shqetësimi më i madh i tyre, por qeveria  Britanike është në të drejtën  e saj për  të kthyer emigrantët  që kalojnë në rrugë të paligjshme. Por nuk mund të lihet  pa theksuar se qeveria shqiptare si  ofertë të vetme për këtë emigracion ka këtë  memorandum me karakter policor. Ky memorandum i kthen emigrantët, por jo shpresën. As i lufton rrënjët  sociale se përse  ka emigracion, të tillë nga vendi ynë. Mjafton të kujtojmë  se fenomeni ka qenë po kaq i lartë  edhe disa vite më parë në Francë ku qeveria dërgoi katër  oficere në këtë vend”.

“Emigracioni nuk mund të mbyllet me forma policore, sepse nëse  qetësohet  në një vend, do të shpërthejë në një vend  tjetër. Duhen luftuar rrënjët e tij sociale. Por kjo qeveri në vend  që të shkulë këto rrënjë ajo i ka vaditur e po i vadit ato çdo ditë  duke bërë fakt shpopullimin e zonave e krahinave të tëra! Dëgjova kolegë të mazhorancës që thanë se deputet e zonave ku ka fluks të shtuar migracioni të bëhen pjesë e implementimit të programeve të zhvillimit që sigurojnë punësim etj., shumë mirë do ishte! Por për çfarë programesh punësimi flisni ju që me ardhjen tuaj në pushtet u rritët taksat, u mbyllët zyrat e shërbimeve, u mbyllët filialin e Universitetit, nuk ka shkolla profesionale etj., çfarë u mbetet atyre tjetër kur shumica e familjeve janë në kushtet e mbijetesës. Qarku i Kukësit ka të ardhurat më të ulëta për frymë krahasuar me Tiranën do ti duhen plot 20 vite për të arritur nivelim e të ardhurave për frymë Tiranën sikur zhvillimi i sajë të qëndrojë në vend! Atyre nuk u mbetet gjë tjetër vetëm të marrin rrugën me shumë rrisqe të migracionit biles edhe duke marrë para borxh për të paguar ata persona që i kalojnë me gomone në brigjet Britanike, e duke qenë të futur nën presionin e pagesës së borxhit bien pre e grupeve kriminale duke u përfshirë në veprimtari kriminale! Një qytetar nga Hasi në një takim që kisha përpara ca ditësh në qytetin e Krumës mes lotësh më tha se nga varfëria e mungesa e shpresës jam detyruar ti nisë me gomone për në Londër të dy djemtë në moshat 14 e 18 vjeç, pasi nuk kam asnjë mundësi që këtu t’iu sigurojë pagesën e shkollës së lartë dhe as atij të voglit shkollim profesional dhe kemi mbetur shurdhër në shtëpi vetëm me bashkëshorten! Prandaj ajo që kërkohet sot nga ne si opozitë, por edhe nga shumica e shqiptarëve është kthimi i shpresës se ky vend mund të bëhet, dhe e vetmja shpresë mbetet bashkimi i shqiptarëve për të bërë të mundur një orë e më parë largimin e kësaj qeverie!”.