Financimet ruse, Kryemadhi pas takimit me Kim: Kush ka gëlltitur lugën e çorbës së prishur, do të vjellë gjithë jetën

Publikuar më: 15/9/2022, ora 13:30
15 SHTATOR DITARI 13 00 CL frame 27796 1280x720

Financimet ruse, Kryemadhi pas takimit me Kim: Kush ka gëlltitur lugën e çorbës së prishur, do të vjellë gjithë jetën

Publikuar më: 15/9/2022, ora 13:30

Pas takimit në KQZ me ambasadoren Yuri Kim edhe Monika Kryemadhi e konsideroi emergjente ngritjen e barrierave për mosdepërtimin e financimeve ruse që cenojnë sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi tha se ka mbi 6 vjet që flet për influencën ruse në rajon dhe u kërkoi dy partive të mëdha politike që të ndjekin shembullin e ish-LSI, PL sot, për të deklaruar të gjithë donatorët.

“Është bërë emergjente ngritja e barrierave për mosdepërtimin e financimeve ruse që cenojnë sigurinë kombëtare të Shqipërisë qoftë me luftën në Ukrainë dhe rritjen e prezencës ruse në rajon. Kam mbi 6 vjet që flas për influencë ruse në Shqipëri jo vetëm në ekonomi, por edhe në atë sociale si në rrjetet sociale. Më mirë vonë se kurrë, kjo është shumë e rëndësishme. Ka ardhur koha që edhe dy partitë të marrin shembullin e LSI-së që të gjithë donatorët të bëhen publikë me emër e mbiemër, të keni mundësi të shikoni edhe personat fizikë të partive të tjera”.

Sipas saj, ligji për financimin e partive politike ka nevojë për rishqyrtim me qëllim që të mos nxisë paratë e pista.

“Ligji për financimin e partive politike ka nevojë për rishqyrtim që t’ua bërë më të lirë qytetarëve shqiptarë për të bërë donacione për partitë politike qoftë edhe me 10 mijë lekë të vjetra, sepse duke e bërë burokratike stimulojmë paratë e pista dhe vijnë financime në mënyrë të fshehur. E përgëzoj takimin me ambasadoren amerikane në këtë drejtim dhe bashkëpunimi jo vetëm me Partinë e Lirisë, por edhe parti të tjera”.

E pyetur nëse në takimin me ambasadoren amerikane u diskutua financimi prej gjysmë milioni dollarësh për PD-në e drejtuar nga Basha, Kryemadhi u përgjigj: “Takimi nuk përmendi emra. Ka një proces që po hetohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërisë. Asgjë nuk ngel pa dalë. Kush e ka gëlltitur lugën e çorbës së prishur do të vjellë gjithë jetën”.