Takimi i beftë me Kurtin, Lajçak mohon se ka kornizë të re për dialogun Kosovë-Serbi

Publikuar më: 15/9/2022, ora 19:52

Takimi i beftë me Kurtin, Lajçak mohon se ka kornizë të re për dialogun Kosovë-Serbi

Publikuar më: 15/9/2022, ora 19:52

Bashkimi Europian mohon se për dialogun Kosovë-Serbi ka një kornizë të re. Këtë e konfirmoi përfaqësuesi i posaçëm i unionit, Miroslav Lajçak, i cili zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë, duke shprehur habi për atë ide, të lakuar deri më tani vetëm nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“Po, u habita kur dëgjova fjalën ‘Armatura’, po përpiqem të kuptoj se çfarë do të thotë armatura sinqerisht”, tha Lajçak.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Kosovës, zyrtari i BE-së, u takua me kryeministrin, Albin Kurtin, duke e detyruar të braktisë seancën e parë të kuvendit në këtë sesion të ri. Pavarësisht se dha shumë pak detaje lidhur me bisedën e zhvilluar, Lajçak përmendi se diskutoi për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, lirinë e lëvizjes, personat e pagjetur dhe çështjen e energjisë.

“Ne duam të sigurohemi që jemi duke kërkuar në mënyrë aktive zgjidhje për këto çështje, të shmangim tensionet ose përshkallëzimin. Nuk mendoj se do të jetë e dobishme të flasim për detaje. Ajo që thashë, është me të vërtetë e rëndësishme që të diskutojmë rrugën drejt së ardhmes, që është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, shtoi zyrtari europian.

Lajçak pohoi se po punon për një datë për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë mes Kurtit dhe Vuçiç. 

“Ne duam të sigurohemi që takimi të ketë një përmbajtje dhe të prodhojë diçka.”

Ndërkohë, Kurtin e takoi në Prishtinë, ndërsa me presidentin serb do të diskutojë në Nju Jork, ku Lajçak, Vuçiç dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, do të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.