Veprat penale në rritje, Qeveria kërkon ashpërsimin e dënimeve

Publikuar më: 15/9/2022, ora 13:27

Veprat penale në rritje, Qeveria kërkon ashpërsimin e dënimeve

Publikuar më: 15/9/2022, ora 13:27

Në dy vitet e fundit, dënimet penale kanë shënuar rritje, çka ka bërë që ekzekutivi të paraqesë për konsultim një ashpërsim të mëtejshëm të politikës penale. Drafti i parë i Ministrisë së Drejtësisë flet për ndryshime në Kodin Penal ku parashikohet të rëndohet pozita ndaj atyre personave që janë përsëritës të një krimi nën argumentin se dënimi i ashpër ul kriminalitetin në vend.

Aktualisht, përsëritja e veprave penale nga persona të dënuar më parë përbën një shqetësim shoqëror pasi është një tregues se dënimi i dhënë më parë nuk i ka shërbyer rehabilitimit të personit. Kryerja e krimit të ri me dashje gjatë ekzekutimit të dënimit apo brenda 5 viteve nga përfundimi i tij nënkupton se personi nuk ka përfituar apo nuk është korrigjuar nga dënimi i dhënë më parë për krimin përkatës. Rrjedhimisht, shtesa e dënimit shtohet deri në 1/2 e dënimit të dhënë për krimin e ri të kryer.

Pjesë nga drafti

Kjo politikë penale është e rëndësishme për një sërë kategori veprash penale, që nga vrasjet e deri te kultivimi i narkotikëve. Por një vëmendje të veçantë i është dhënë edhe krimit brenda familjes dhe krimet ndaj të miturve, ngjarje këto që sipas të dhënave të INSTAT, kanë ardhur në rritje. 

Drafti i Ministrisë së Drejtësisë parashikon amendime të Kodit të Procedurës Penale ku kërkon heqjen e gjykimit të shkurtuar për këto dy kategori krimesh. 

Nëpërmjet këtij parashikimi përcaktohet si element ndalues për zhvillimin e gjykimit të shkurtuar për personat që kryejnë krime ndaj të miturive, si dhe personat që kryejnë veprën penale të dhunës në familje.

Pjesë nga drafti

Heqja e gjykimit të shkurtuar për këto vepra penale nënkupton heqjen e mundësisë për të përfituar ulje dënimi si pasojë e pranimit të fajit. Të dy draftet do të duhet të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave për të shkuar më pas për miratim në Parlament.