
Vizitë surprizë e Lajçak në Kosovë, Kurti ”braktis” seancën e Kuvendit për ta takuar
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, gjendet në Kosovë në një vizitë të paparalajmëruar.
Kjo bëri që kryeministri, Albin Kurti, të braktiste seancën e parë të Kuvendit në sesionit të ri. Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, njoftoi se mes tyre po zhvillohet një takim, i nisur që prej orës 14:00.
“Kjo është arsyeja se pse nuk mund të qëndronte më gjatë në Kuvend. Sot ishte vetëm seanca e parë e sesionit të ri të Kuvendit. Gatishmëria, për të debatuar në Kuvend nuk ka munguar e as nuk do të mungojë asnjëherë”, shkruan në njoftimin e tij Kryeziu.
Ndërkohë, kjo vizitë në mënyrë surprizë e Lajçak në Prishtinë vjen pas asaj të zhvilluar të premten, ku ishte i shoqëruar dhe nga këshilltarët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Çështja e targave mund të jetë arsye e kësaj vizite, por gjithashtu edhe dialogu Kosovës-Serbi.