Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Financimi rus, Yuri Kim takon Ballën dhe Alibeajn

Nga A2 CNN
16 Shtator 2022, 11:09 | Politikë
Financimi rus, Yuri Kim takon Ballën dhe Alibeajn

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, takoi të premten krerët e grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, përkatësisht Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeaj. Takimi u bë për çështjen e financimeve ruse në politikën shqiptare.

Për këtë çështje, Kim takoi ditën e enjte kreun e KQZ-së dhe deputetët Tabaku, Kryemadhi dhe Gjiknuri. Pas takimit që zgjati rreth 90 minuta, Kim u largua pa komentuar me gazetarët. Më vonë, ambasada amerikane publikoi një njoftim të shkurtër. “Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, u takua me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse, si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet antikorrupsion. Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Pjesëmarrësit e tjerë në takim dolën rreth 30 minuta pas ambasadores. Të gjithë konfirmuan shqetësimin amerikan për financimet ruse. Komisioneri Celibashi deklaroi se nën dritën e informacioneve që zotërojnë Shtetet e Bashkuara, ambasadorja Kim ka kërkuar angazhimin e të gjitha palëve me qëllim që financimet e huaja - sidomos ato ruse - të mos gjejnë hapësirë në politikën shqiptare.

Mediat ndërkombëtare raportuan për një raport të inteligjencës amerikane, sipas të cilit, Rusia ka shpenzuar qindra milionë dollarë në favor të personazheve apo forcave të caktuara politike në shumë vende, mes të cilave edhe Shqipëria. Zëri i Amerikës theksoi se pjesë e financimeve ruse janë edhe 500 mijë dollarë që sipas SHBA-së ka përfituar Partia Demokratike në vitin 2017, kur drejtohej nga Lulzim Basha. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani