Hipoteza nga Amerika, SHBA kërkojnë finalen e Champions. UEFA shqyrton ofertën

Publikuar më: 16/9/2022, ora 14:50
champions 1024x576

Hipoteza nga Amerika, SHBA kërkojnë finalen e Champions. UEFA shqyrton ofertën

Publikuar më: 16/9/2022, ora 14:50

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës luhen disa prej finaleve më të rëndësishme të sportit. Por, vendit i mungon edhe ajo që cilësohet si qershia mbi tortë: finalja e Champions League.

Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, diçka e tillë mund të realizohet në një të ardhme jo shumë të largët. Akti final i turneut më të rëndësishëm europian për klube mund të luhet në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të ishte hera e parë që finalja më e madhe do të largohej nga “Kontinenti i Vjetër”. Për më tepër, kushtet ekonomike dhe fakti që tregu amerikan i të drejtave televizive është më i madhi në glob, e favorizojnë idenë.

Me transferimin e finales së Champions përtej Atlantikut, duket se janë dakord edhe UEFA dhe Shoqata Europiane e Klubeve. Këta të fundit kanë së shpejti edhe Asamblenë e Përgjithshme, aty ku mund të miratohet projekti për shpërndarjen e tregut dhe rritjen e përfitimeve nga sponsorizimet.

Vetëm pak kohë më parë, UEFA shiti të drejtat televizive në Shtetet e Bashkuara për 1 miliard e 500 milionë dollarë. Kjo shifër do të rritet nëse nga viti 2024 do të transmetohet versioni i zgjeruar i Champions. Ideja për finalen e Champions në tokën amerikane erdhi pas suksesit të finales së Kupës së Kampionëve, ku u përball ekipi kampion i futbollit në SHBA dhe kampionia e Meksikës, ndeshje e luajtur në “Yankee Stadium” të New York.