Kërkohet arrestimi i tij pasi tha se Kosova është e pavarur, Kamberi: Vuçiç e di realitetin, Serbia po radikalizohet

Publikuar më: 16/9/2022, ora 14:21

Kërkohet arrestimi i tij pasi tha se Kosova është e pavarur, Kamberi: Vuçiç e di realitetin, Serbia po radikalizohet

Publikuar më: 16/9/2022, ora 14:21

“Nëse kemi gabuar me lirimin e Kurtit nga burgu, mos të gabojmë me Kamberin”, këto fjalë kanë ardhur nga zëvendëskryetarja e parlamentit serb si përgjigje ndaj fjalëve të deputetit Shaip Kamberi, që Kosova është e pavarur, prandaj duhej dialog për të zgjidhur çështjet.

Nga Bujanovci, deputeti shqiptar në Parlamentin serb, flet për A2 CNN mbi shkaqet e këtij reagimi. “Kjo dëshmon që në qoftë se unë si deputet jam në këtë shënjestër, kjo flet qartë për gjendjen ku ndodhen shqiptarët e luginës se Preshevës”.

Kamberi thotë që kur dikush i prish dogmat e serbëve, ato reagojnë pikërisht në këtë mënyrë. “Më shqetësues se vetë burgu ishte propozimi për shpërngulje, një masë kjo mesjetare, dhe asnjë nuk pati kurajë të flasë”, shton ai, që gjithsesi nuk mendon se Beogradi do të arrijë deri aty sa t’i heqë mandatin, nga momenti që “mandati është i imi, ma kanë dhënë qytetarët e Luginës për herë të pestë radhazi”.

Ndërkohë, dialogu Prishtinë-Kosovë, mbetet në një qorrsokak. “Unë i thashë Vuçiç se Kosova është e pavarur, prandaj duhet të bisedoni në mënyrë realiste për të ndërtuar një perspektivë të re në Ballkanin Perëndimorë, siç e thotë çdo diplomat i huaj dhe një pjesë të atyre serbëve që nuk pajtohen me këto politika, por kur kjo thuhet nga një shqiptar, aq më shumë në Parlament, sjellë këto reagime”, shton Kamberi.  

Ai cilëson presidentin serb Vuçiç si një ”radikal i moderuar që kurrë nuk i është larguar së kaluarës, edhe pse përballë pjesës nacionaliste duket si më demokrati në Parlament. Ai e di realitetin, por Serbia po radikalizohet”.