I gjithë kombi ndalet për funeralin shtetëror, Britania përcjell Mbretëreshën

Nga A2 CNN
19 Shtator 2022, 09:18 | Bota

Jeta do të paralizohet sot në Britaninë e Madhe, ndërsa miliona njerëz do t’i thonë lamtumirën mbretëreshës Elizabeth e 2-të.

Në orën 06:30 të ditës së hënë, Westminster Hall i mbylli dyert për publikun, pas homazheve 4-ditore, ku qindra mijëra njerëz mundën të shohin nga afër arkivolin e sundimtares, pasi kishin pritur me durim në radhë deri në 16 orë.

Arkivoli do të zhvendoset në abacinë e Westminter, ku në prani të rreth 2 mijë të ftuarve do të zhvillohet funerali shtetëror për mbretëreshën.

500 krerë shtetesh dhe funksionarë të huaj janë ftuar të marrin pjesë në ceremoni, mes të cilëve edhe presidenti amerikan, Joe Biden, ndërsa miliona njerëz do ta ndjekin atë përmes ekranit.

Shkollat, dyqanet, bankat dhe bizneset janë mbyllur, ndërsa 10 mijë policë janë mobilizuar për të garantuar sigurinë në atë që konsiderohet si operacioni më i madh i mbrojtjes në të gjithë globin.

Edhe pse i planifikuar prej vitesh, operacioni London Bridge, do të jetë një makth për autoritetet, që duhet të balancojnë nevojën për mbrojtjen e liderëve botërore me dëshirën e publikut për të përcjellë monarken aq të dashur.

Pas shërbesës në Abacinë e Westminter, arkivoli do të zhvendoset në Harkun e Wellingtonit në Hyde Park. Kortezhi mortor do të udhëtojë më pas në kështjellën Windsor për një ceremoni private familjare në kapelën e Saint George. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/09/17/incidenti-gjate-homazheve-ne-nderim-te-mbretereshes-nje-person-i-afrohet-arkivolit-menjehere-ne-pranga/

A2 CNN Livestream

Latest Videos