Lufta në Ukrainë, Rusia mohon akuzat për krime lufte në Izyum

Publikuar më: 19/9/2022, ora 15:19

Lufta në Ukrainë, Rusia mohon akuzat për krime lufte në Izyum

Publikuar më: 19/9/2022, ora 15:19

Forcat ukrainase kanë rifituar kontrollin e bregut lindor të lumit Oskil, i parë si vija e frontit me trupat ruse në veri-lindje të vendit.

Ushtria e Moskës është larguar pothuajse plotësisht nga rajoni i Kharkiv dhe një udhëheqës rajonal tha se objektivi i ardhshëm do të ishte Luhansku fqinj.

Ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky konfirmon se ofensiva e radhës është duke u përgatitur. Ai gjithashtu akuzoi Rusinë për shënjestrimin e një centrali bërthamor në jug. Operatori bërthamor ukrainas Enerhoatom tha se një raketë ra 300 metra nga reaktorët bërthamorë në centralin e dytë më të madh të vendit në rajonin e Mykolayiv, duke dëmtuar ndërtesat dhe duke mbyllur një pjesë të një hidrocentrali në kompleks.

Pamjet e këtij sulmi janë postuar në internet nga ushtria ukrainase. Kievi synon që të radhës të çlirojë qytetin e Lyman, që u pushtua në maj. Ai territor shtrihet në juglindje të Izyum, ku Ukraina ka zbuluar 450 persona të vdekur në një varr masiv. Zbulimi i tmerrshëm bëri që Bashkimi Europian të kërkojë ngritjen e një gjykate ndërkombëtare lidhur me luftën e Rusisë. Këtyre zhvillimeve u është përgjigjur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai i konsideroi një gënjeshtër dyshimet dhe akuzat për krime lufte dhe u zotua të mbronte të vërtetën në të gjithë këtë histori.