Ndarja territoriale nuk preket, socialistët refuzojnë ndryshime
Grupet parlamentare të dy forcave më të mëdha zhvilluan mbledhjet përkatëse paraditen e së hënës, pa ndryshuar qëndrim për ndarjen e re territoriale.
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla nënvizoi se pas konsultimit me ekspertët, mazhoranca preferon t’i qëndrojë organizimit aktual: “Pas konsultimit me ekspertë, rezultuam se 61 bashki dhe 12 qarqe janë shumë mirë. Alibeaj nuk ka pse ndihet i provokuar”.
Alibeaj, që e kishte cilësuar si të papërgjegjshëm të njëjtin qëndrim të Ballës, javën e shkuar, preferoi të heshtte duke anuluar komunikimin me median që kishte njoftuar më herët.
Debati u zhvendos në komisionin e posaçëm për Reformën Territoriale, aty ku u reflektua edhe pakënaqësia e opozitës ndaj qëndrimit të socialistëve. Dhurata Çupi tha: “Dhënia e vendimit në mes të punës është e papranueshme dhe e qëllimshme. Keni tendencë të talleni nëse e keni vendosur. Nuk kemi pse bëjmë dëgjesë”.
Demokratët këmbëngulin se reforma e vitit 2014 ka dështuar dhe dëshmi për këtë, sipas tyre, është falimentimi i 26 bashkive. Socialistët nënvizojnë se edhe nëse harta do të prekej, nuk do të reflektohej në zgjedhjet e pranverës së ardhshme, por pas 4 vitesh.