Plani për atentat ndaj Kurtit, reagon Qeveria e Kosovës: Ishim në dijeni

Publikuar më: 19/9/2022, ora 15:10
KURTI PER HUMBJEN frame 657 1024x576

Plani për atentat ndaj Kurtit, reagon Qeveria e Kosovës: Ishim në dijeni

Publikuar më: 19/9/2022, ora 15:10

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar rastin e raportuar për një plan që ishte bërë për atentat ndaj kryeministrit Albin Kurti në vitin 2021, të mësuar pas publikimit nga hakerat e-mail-eve të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

“Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë ndaj “Kosovapress”. Në një tjetër përgjigje, për gazetën “Zëri”, thuhet: “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi”.

Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën kështu rezulton në një dokument të bërë publik, këtë të hënë, nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga e-maili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

Në dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.