Publikohen e-mail-et e Gledis Nanos, u njoftua se Talo Çela lëvizte në Tiranë

Publikuar më: 19/9/2022, ora 12:16
5f62fddd437d6talo cela 1016x579

Publikohen e-mail-et e Gledis Nanos, u njoftua se Talo Çela lëvizte në Tiranë

Publikuar më: 19/9/2022, ora 12:16

I shumëkërkuari i drejtësisë, Talo Çela, lëvizte lirshëm në Tiranë, të paktën gjatë vitit 2021. Kështu të paktën rezulton në një informacion dërguar drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, të publikuar së fundmi nga hakerat të cilët kanë siguruar e-mailet- në inbox-in e tij.

Sipas informacionit, Talo Çela prej disa kohësh ishte parë të lëvizë në Tiranë. “Më datën 5 gusht 2021 pas orës 20:00 ai ka shkuar te një hotel në Tiranë, me adresë te “Rruga e Dibrës”. Atje ai ka shkuar i shoqëruar nga tre persona të tjerë të cilët kishin në përdorim një mjet tip golf ngjyrë gri kurse vetë  udhëton me një mjet tip Audio Q8, ngjyrë blu të errët, me targa gjermane. Burimi ka informuar se në këtë objekt, Talo Çela ka qenë dhe para dy javësh, rreth datave 25-26 korrik 2021”, thuhet në informacionin që i është dërguar Nanos.

Informacioni që i është dhënë drejtorit të atëhershëm të policisë bazohet mbi një informator, i cili pretendonte se kishte të dhëna të sigurta në lidhje me Talo Çelën. A2 CNN nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto dokumente, të publikuara nga grupet e hakerave.

Çela është një prej personave më të kërkuar në Shqipëri. Për kapjen e tij, Policia e Shtetit ofron 10 mijë euro shpërblim për këdo që ka informacion.

49-vjeçari nga Elbasani është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

Ai është autori i dyshuar i ngjarjes grabitjes së Rinas në prill të vitit 2019, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.

Gjithashtu Çela është i dyshuar si autor i vrasjes së dy vëllezërve Haxhiu në 27 prill të këtij viti, në vendin e quajtur “Tregu i makinave”, në Shënvlash.