Varfëria e shqiptarëve, Berisha: Mjet i qeverisë për nënshtrim e vjedhje votash

Publikuar më: 19/9/2022, ora 21:11

Varfëria e shqiptarëve, Berisha: Mjet i qeverisë për nënshtrim e vjedhje votash

Publikuar më: 19/9/2022, ora 21:11

Sali Berisha akuzoi qeverinë se po përdor varfërinë si mjet për të nënshtruar njerëzit dhe vjedhur votat e tyre. Nga Puka, ku zhvendosi turin “Shqipëria në rrezik” të hënën, Berisha u ndal tek rritja e çmimeve në vend, ndërsa hapat e qeverisë përballë saj i konsideron si një tjetër mekanizëm për të vjedhur qytetarët.

Kundërmekanizmi, sipas Berishës, janë protestat: “Buka në Shqipëri u rrit më shumë se kudo tjetër, kjo ishte statistika e fundit. Por, shqiptarët për fatin e tyre, janë populli që konsumon bukë më shumë se çdo komb tjetër në Europë. E them këtë sepse ua vret xhepin. Koha është t’i themi “boll vodhe, ik e shko para drejtësisë”. Përndryshe, ky dhe suita e tij do të vazhdojnë të vjedhin, të varfërojnë këtë popull çdo muaj  e më shumë”.

Pavarësisht hetimeve dhe arrestimeve, pagesat e shtetit për kontratat e inceneratorëve vijojnë, e renditur kjo nga kryetari i PD-së si një tjetër grabitje në xhepat e shqiptarëve: “Janë dhënë mbi 100 milionë euro, nuk janë ndërtuar askund djegësi i Fierit dhe Tiranës. Keni dëgjuar ndonjëherë që firma e ndonjë biznesmeni të shpallur në kërkim të vazhdojë funksionimin. Kurrë, as në Shqipëri dhe as në botë. Por, kur firma është e lidhur me qeverinë, për të nuk ka ligje”.

E ndërsa fton qytetarët për protesta dhe largim me votë të qeverisë Rama, Berisha tregoi rrezikun që i kanoset vendit me patronazhistët që mazhoranca i quan “zemra e Partisë Socialiste”: “Ky po vendos një sistem që ishte në diktaturë, ku ka në dorë të gjitha pushtetet”.

Prej javës së shkuar, lideri demokrat i është kthyer turit në rrethe, ndërsa në aksionin e demokratëve nuk ka ende një datë për protestë.