Bashkim me Rusinë, referendum më 23 shtator në Donetsk, Luhansk e Kherson

Publikuar më: 20/9/2022, ora 14:53
referendum 1280x720

Bashkim me Rusinë, referendum më 23 shtator në Donetsk, Luhansk e Kherson

Publikuar më: 20/9/2022, ora 14:53

Është hapur rruga për mbajtjen e referendumit për aneksimin e dy republikave të vetëshpallura separatiste të Donbasit në Rusi. Në Luhansk dhe Donetsk, si dhe në rajonin e pushtuar Kherson, konsultimi popullor do të mbahet nga 23 deri më 27 shtator. Ndërkohë, Duma, dhoma e ulët e parlamentit rus, ka miratuar një sërë ndryshimesh në kodin penal, të cilat parashikojnë forcimin e dënimeve në rast të “mobilizimit”, “ligjit ushtarak”, “kohës së luftës” dhe “konfliktit të armatosur”.  

“Referendumet në Donbas janë të një rëndësie të madhe jo vetëm për mbrojtjen sistematike të banorëve të Republikës së Luhanskut dhe Donetskut dhe territoreve të tjera të çliruara, por edhe për rivendosjen e drejtësisë historike, deklaroi nënkryetari i Këshillit të Sigurimit rus, Dmitri Medvedev, për të mbajtur referendume aneksimi në të ashtuquajturat republika separatiste pro-ruse në Ukrainë.

“Pushtimi i territorit të Rusisë është një krim që lejon përdorimin e të gjitha forcave të vetëmbrojtjes”, shton ai, duke shpjeguar se për këtë arsye referendumet “kanë frikësuar në Kiev dhe në Perëndim” dhe “duhen mbajtur”.

Ndërkohë Parlamenti i Republikës së vetëshpallur të Luhanskut, në Ukrainën lindore, miratoi njëzëri një ligj për mbajtjen e një referendumi për bashkimin me Rusinë. Këtë e bëjnë të ditur agjencitë ruse.

Po kështu një referendum për aneksimin me Rusinë do të zhvillohet edhe në rajonin Kherson të Ukrainës nga data 23 deri më 27 shtator. Këtë e ka bërë të ditur Vladimir Saldo, kreu i administratës civilo-ushtarake të rajonit të pushtuar nga rusët, cituar nga Interfax.

Ndërkaq Ukraina ka çliruar një fshat në rajonin e Luhanskut, duke shtyrë pas forcat ruse. Këtë e konfirmoi lideri ushtarak i këtij rajoni lindor, Sehi Haidai.

“Do të luftojmë fort për çdo centimetër të Luhanskut”, tha ai duke bërë të qarta synimet e ushtrisë ukrainase për të rimarrë kontrollin e të gjithë këtij rajoni. Sakaq, luftime të ashpra janë raportuar edhe në një qytet të Donjeckut fqinj.

Ushtria ukrainase ka nisur një fushatë sulmesh ajrore ndaj forcave ruse në Lindje të vendit, në përpjekje për të shfrytëzuar momentin e mirë për të rifituar sa më shumë terren. Shpërthime janë raportuar edhe në Melitopol, qytet ukrainas të pushtuar nga rusët.

Ndërkohë, autoritetet e Kievit vijojnë të bëjnë bilancin në rajonin Kharkiv, të çliruar së fundmi. Të paktën 166 struktura mjekësore, mes tyre 7 spitale, janë dëmtuar gjatë luftimeve që nga 24 shkurti. Ndërkohë, në Izium janë zhvarrosur 146 persona nga një varr masiv, mes tyre shumë civilë dhe dy fëmijë.