Helikopterët nga junta ushtarake birmaneze goditën një shkollë në Tabayin, duke vrarë të paktën 13 persona, përfshirë 11 fëmijë. Administratorja e shkollës tha se ajo po përpiqej t’i çonte nxënësit në një vend të sigurt fshehjeje kur helikopterët filluan të qëllonin në shkollë.
Shkolla, e cila ka 240 nxënës nga kopshti deri në shkollën fillore, ndodhet në një kompleks të manastirit budist të fshatit. Që kur ushtria rrëzoi qeverinë e zgjedhur të Aung San Suu Kyi në shkurt 2022, Kombet e Bashkuara kanë dokumentuar 260 sulme ndaj shkollave dhe stafit arsimor, por ky do të ishte numri më i madh i fëmijëve të vrarë.
Sulmi ndaj shkollës, sipas juntës ushtarake, kishte në shënjestër rebelët që fshiheshin në zonë. “Nxënësit nuk bënë asgjë të keqe, nuk e mendoja kurrë se do të goditeshin nga automatikët”, tha administratorja e shkollës. Kur ajo, nxënësit dhe mësuesit arritën të strehoheshin në klasa, një mësues dhe një 7-vjeçar ishte qëlluar në qafë dhe në kokë. “Ata vazhduan të qëllonin nga lart në kompleks për një orë. Ata nuk u ndalën as për një minutë”, tha ajo.
Kur sulmi ajror u ndal, gruaja tha se rreth 80 ushtarë hynë në kompleksin e manastirit, duke qëlluar me armë në klasa dhe duke urdhëruar të gjithë të pranishmit të largoheshin. Administratorja raportoi se kishte parë rreth 30 nxënës me lëndime në shpinë, këmbë, fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit. Disa kishin humbur gjymtyrët.