Ndalimi i publikimit të materialeve të hakuara, Jordan Daci: Censurë me shtet, mund të kthehet në precedent

Publikuar më: 20/9/2022, ora 15:00

Ndalimi i publikimit të materialeve të hakuara, Jordan Daci: Censurë me shtet, mund të kthehet në precedent

Publikuar më: 20/9/2022, ora 15:00

Për juristët, ndalimi i publikimit nga ana e mediave të materialeve në postën elektronike të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të policisë, është i paligjshëm. Sipas Jordan Dacit, publikimi i të dhënave të tilla parimisht duhet të mbrohet, por të censurosh mediat është një tjetër histori.

“Si mund të ngarkojë prokuroria një institucion të pavarur si AKEP apo AMA? Ka gafa të rënda, sepse nuk kupton çfarë institucioni je”, tha Daci.

Momenti i dytë, sipas juristit, është fakti se gazetarët nuk janë subjekte të një procedimi penal. “Neni 103 dhe të gjitha nenet e tjera pas tij, që kanë të bëjnë me ndalimin e publikimit të akteve, kanë të bëjnë me subjektet e procedimit penal dhe të gjithë nënshkruajnë një formular që marrin dijeni dhe pranojnë të mos publikojnë materialet. Por gazetarët nuk janë aty”, tha Daci.

Për Dacin, ky vendim nuk është kompetencë e prokurorisë së rrethit, por e asaj të posaçme. Rreziku është shndërrimi në precedent i një akti të tillë.

Shteti shqiptar, sipas tij, duhet të bëjë transparencë lidhur me sulmet kibernetike. Në rast se ekspozohen materiale të tjera atëherë prokuroria, së pari, duhet të hetojë nëse ka shkelje nga ana institucioneve dhe të sigurojë vënien e tyre para përgjegjësisë.